Basha del nga prokuroria: Autorët dhe organizatorët e “8 janarit” të dalin para drejtësisë
Për rreth dy orë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha është marrë në pyetje në Prokurorinë e Tiranës.
Basha ka dhënë detaje nga dëshmia e tij në prokurori, ndërsa ka shtuar se në fokus është fakti që organizatorët dhe dhunuesit të vendosen para drejtësisë.
Ai ka thënë për mediat se Sali Berisha me aktet e 8 janarit ka treguar se është si një aleat i vyer i qeverisë.
“Ditë në të cilën nuk do të kishim ardhur kurrë për interesat e askujt. Kjo është një nga dëmet që po i shkaktohet familjes tonë politike. Megjithatë ndonëse PD, ishim pre e një sulmi barbar dhe të dhunshëm. Kërkojmë që të vendosen përgjegjësit para drejtësisë dhe i them demokratëve që nuk do të biem në këtë kurth ku na do kundërshtari politik, por duhet të jemi në krye të betejës. Edhe tani Berisha me aktet e 8 janarit është dëshmuar si një aleat i vyer i qeverisë. Sot, kjo prokurori duhet të gëlonte nga personat e arrestuar për inceneratorët. Me aktet dhe veprimet e tij përçarëse, Berisha është përpjekur ta pengojë këtë. Dua të theksoj se ai nuk ia ka dalë. Së pari nuk ia ka dalë të imponohet me aktet e dhunës, siç nuk imponohet asnjë pakicë. Demokratët ia kanë dalë të tregojnë se janë më shumë se një person i vetëm. PD mbetet një forcë politike e pjekur dhe do i japë fund tranzicionit”, ka thënë Basha.