Basha: Duhet t’i japim fund pushtetit pakufi që bazohet në vullnetin e një individi

05 korrik 2023 | 12:52

Ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në një bashkëbisedim me qytetarë ka thënë se hapja, modernizimi, fuqizimi i rinisë dhe qarkullimi i elitave brenda Partisë Demokratike do të jenë pjesë e përditshme e përpjekjeve të tyre për të rritur besimin dhe inkurajuar angazhimin e të rinjve në politikë.

“Ndryshimi që shumica e heshtur kërkon do të nisë nga familja jonë politike për t’u shtrirë më pas në të gjitha institucionet vendimmarrëse të vendit. Ne do t’i bashkojmë forcat dhe energjitë tona me të gjithë shqiptarët që duan të kenë në duart e tyre pushtetin, për të zgjedhur dhe ndikuar në qeverisjen e vendit. Aleanca Qytetare për Demokracinë është mjeti në shërbim të këtij bashkimi, pavarësisht bindjeve politike, por të qartë se ndryshimet kushtetuese dhe ligjore për të cilat vendi ka nevojë janë kushti paraprak për të çliruar potencialin e jashtëzakonshëm politik dhe ekonomik që vendi ynë ka”, ka thënë Basha.

Ai ka shtuar se me listat e hapura, vetting-un e politikanëve, kufizimin e mandateve, votën e diasporës, zgjedhjen e presidentit nga populli, duke i dhënë kompetenca kontrolli mbi vendimet e Parlamentit dhe qeverisë, hapin siparin e një debati të madh kombëtar, e me forcën e bashkimit do t’i bëjnë realitet.

“Duhet t’i japim fund pushtetit pakufi, vendimmarrjes që bazohet në vullnetin e një individi, duke i dhënë peshë votës së qytetarëve dhe rritur mekanizmat e kontrollit nga Parlamenti”, ka theksuar Basha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll (meshkujt) do të përballet me…