Basha: Jasharët i treguan botës se atdhedashuria është e pamposhtshme
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka nderuar epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një shënim në rrjetet sociale, Basha shkruan se familja Jashari i tregoi botës se atdhedashuria është e pamposhtshme pavarësisht barbarisë së agresorit.
“Burra, gra e fëmijë ranë heroikisht duke vënë gjakun në themelet e Kosovës së lirë e të pavarur!”, shprehet Basha ndër të tjera.
Mesazhi i Lulzim Bashës:
Dashuria për atdheun mund të shembë kalatë më të forta dhe mund t’i qëndrojë sulmeve më barbare. Kjo e vërtetë e madhe mishëron atë që Adem Jashari dhe familja Jashari bëri për atdheun, Kosovën dhe kombin shqiptar.
Jasharët i treguan botës mbarë se atdhedashuria është e pamposhtshme pavarësisht barbarisë së agresorit. Burra, gra e fëmijë ranë heroikisht duke vënë gjakun në themelet e Kosovës së lirë e të pavarur!
Sot nderojmë epopenë e lavdishme të UÇK-së, të vetëdijshëm se kemi akoma rrugë për të bërë deri në përmbushjen e amanetit të heronjve tanë. Jam i sigurt se sakrificat e martirëve tanë në të dy anët e kufirit janë themel i fortë mbi të cilin do të ndërtojmë të sotmen e të nesërmen, me dinjitetin dhe përkatësinë tonë evropiane.
Mbarë kombi ynë përulet sot me nderim përpara sakrificës sublime të Adem Jasharit, familjes Jashari, bijave dhe bijve të Kosovës që u flijuan në altarin e lirisë.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!