Basha: Kam vetëm një peng me kombëtaren
Migjen Basha ka zyrtarizuar largimin përfundimtar nga Kombëtarja e Shqipërisë pasi futbollisti i Arisit kërkonte më shumë kohë për të kaluar me familjen e tij, por edhe për t’ua hapur rrugën të rinjve. Jo shumë kohë të kaluar me fanellën kuqezi faktikisht, pasi për ta parë debutimin e mesfushorit 32-vjeçar do të prisnim vitin 2013.
Aq shumë peripeci u kaluan në ato kohë për problemet e dokumenteve, pasi më herët kishte përfaqësuar të rinjtë e Zvicrës. Madje për disa çaste u duk se ishte e pamundur që Basha ta vishte fanellën e Kombëtares. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, lojtari në fjalë është shprehur se vendimin e tij ua ka bërë të qartë trajnerit Edy Reja dhe presidentit të FShF-së, Armand Duka.
“Vendimin për t’iu larguar Shqipërisë e kam marrë në qershor dhe i kam treguar arsyet e mia Rejës dhe pastaj Dukës. Në të gjithë këto arsye nuk ka asgjë negative apo polemikë ndaj trajnerit, shokëve të ekipit apo Federatës. Thjesht, për mua ishte si momenti perfekt. Pengu im më i madh ishte fakti se nuk iu bashkova më herët Kombëtares së Shqipërisë, e gjitha kjo për shkakun e pasaportës që u vonua shumë”, ka thënë Basha.