Basha kërkon fjalën, Berisha vjen në Kuvend, Rama s’i kursen: Erdhi gogoli ta shohin fëmijët
Me debate dhe tensione është zhvilluar seanca e sotme në Kuvendin shqiptar në mes të mazhorancës dhe opozitës ku po diskutohet për votimin e projekt rezolutës kundër raportit të Dick Martyt.
Kryeministri Edi Rama ka ndërprerë menjëherë fjalën sapo në sallën e Kuvendit kanë hyrë disa fëmijë për të parë punimet e parlamentit.
“Çfarë janë ata kalamaj? Në qoftë se ata janë fëmijë, atëherë ne kemi detyrën të respektojmë ata. Unë personalisht do të ndaloj tani fjalën sepse hynë disa fëmijë atje dhe është mirë të respektohen ata fëmijët. Fëmijë i pashë, por thashë se mos për shembull kanë hyrë gabimisht. Nëse kanë ardhur për të na ndjekur ne, ne duhet të ndjekim ata. Po e ndërpres këtu dhe do ta vazhdoj kur të dalin fëmijët”, u shpreh Rama, i cili në ato momente po hidhte akuza ndaj opozitës që sa herë kanë kriza brenda vetes, përdorin historinë me rezoluta për Kosovën. Por pasi u ul në karrigen e tij, kreu i qeverisë nuk la pas batutat teksa i prezantoi fëmijët me disa deputetë. Teksa Rama ndërpreu fjalën ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha kërkoi të flasë për procedurë. ‘Shih budallai, unë them prit se janë fëmijët, ky do fjalën”, tha Rama.
Në atë moment në sallë është future dhe ish kryeministri Sali Berisha.
“Ja erdhi dhe gogoli ne Parlament ta shohin fëmijët”, ka thënë Rama.