Basha: Kosova i dëshmoi botës se është një demokraci funksionale
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje dhe LDK-në për rezultatin në zgjedhjet e 6 tetorit.
Po ashtu, ai ka përgëzuar edhe udhëheqësit e forcave të tjera politike, garuese në këto zgjedhje, duke thënë se populli i Kosovës ka dhënë një shembull frymëzues për pjesëmarrjen civile dhe masive në zgjedhje.
“Kosova i dëshmoi botës se është një demokraci funksionuese dhe se meriton sa më parë vendin dhe rolin e saj në të gjitha institucionet dhe proceset ndërkombëtare. Urime Kosovë!”, ka shkruar Basha në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Bashës:
Kosova hapi një faqe të re në rrugëtimin e saj si shtet demokratik. Populli i Kosovës votoi për ndryshim duke mandatuar opozitën për të udhëhequr në rrugën e transformimit ekonomik dhe integrimit euro-atlantik. Urimet më të përzemërta LVV dhe LDK, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për fitoren.
Përgëzime udhëheqësve të forcave të tjera politike garuese në këto zgjedhje që me qëndrimet e tyre evropiane japin garanci për ecjen përpara të Kosovës.
Dje populli i Kosovës dha një shembull frymëzues me pjesëmarrjen civile dhe masive në zgjedhje, Policia e Kosovës tregoi profesionalizëm të lartë në ndalimin e menjëhershëm të atyre që cenuan sekretin e votës së lirë duke e fotografuar atë. Kosova i dëshmoi botës se është një demokraci funksionuese dhe se meriton sa më parë vendin dhe rolin e saj në të gjitha institucionet dhe proceset ndërkombëtare. Urime Kosovë!
/Epoka e re/