Basha: Me Ramën nuk mund të arrihet marrëveshje

22 qershor 2019 | 22:03

Në një dalje për mediat mbrëmjen e së shtunës, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se me kryeministrin Rama “nuk mund të diskutohet, negociohet apo arrihet marrëveshje politike”.

Kjo sepse sipas tij, kriza lindi nga bashkëpunimi me krimin i PS-së nën drejtimin e Edi Ramës.

“Ata tashmë janë subjekt i drejtësisë dhe jo politikës”, thotë ai.

Kryedemokrati tha se kriza nuk është krizë që ka lindur nga shkaqe dhe procese politike.

“Ajo është krizë që ka lindur nga shkaqe kriminale dhe nga procesi kriminal i bashkëpunimit të qeverisë dhe Partisë Socialiste nën drejtimin e Edi Ramës me krimin e organizuar. Për këtë arsye zgjidhja e krizës politike kalon nga çmontimi i mekanizmit të bashkëpunimit të strukturuar krim-politikë. Politikisht ajo që duhet të ndodhë, ajo që do të kishte ndodhur në çdo vend tjetër të rajonit e jo më të Europës, është dorëheqja e Edi Ramës dhe largimi i të gjithë këtyre njerëzve nga çdo post shtetëror që mbajnë.”

Kryetari i opozitës tha se këto kushte janë tashmë përtej vullnetit të tij dhe vullnetit të drejtuesve të opozitës: “ato janë kërkesë e shqiptarëve”.

Basha tregoi edhe lidhjet, sipas tij kriminale financiare, mes qeverisë dhe bandave që blenë zgjedhjet.

“Shteti u dha Avdylajve edhe mundësinë të përdorin dhe pastrojnë paratë e krimit duke ju dhënë leje ndërtimi dhe leje të tjera, direkt apo indirekt në emër të tyre. Mbi katër leje ndërtimi ka marrë banda e Avdylajve nga Vangush Dako. E njejta gjë në Peshkopi. Imer Lalës dhe të tjerëve shteti u dha licensën të kultivonin dhe trafikonin drogën. Madje policia direkt u ka afruar këtë pazar kriminelëve: na ndihmoni të vjedhim vota dhe jeni të lirë të mbillni kudo kanabis.”

“Trafikantët e drogës sot financojnë direkt apo indirekt kompani ndërtimi, projekte zhvillimore, kompani minerare, kompani transporti, televizione, koncesione publike, punë publike, janë në naftë në minerale ne resorte turistike dhe në zhvillimin e pronave.”/tvklan.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë Edi Rama thumbi…