Basha merret në pyetje për rastin ‘Toyota Yaris’
Pas përfundimit të dhënies së dëshmisë përpara prokurorëve belgë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka bërë me dije se ka dhënë informacione të plota për çështjen e “Toyota Yaris”.
“Dhashë informacione të plota për çështjen e ‘Toyota Yaris’, më shumë se ç’kam thënë në publik. Taulant Balla duhet të ishte sot në pranga. Pastrimi i parave është sot problemi më i madhe”, ka thënë Basha.
Më tutje, shefi i opozitës, është shprehur se Qeveria e Edi Ramës po pastron paratë e pista të drogës dhe se programi i Partisë Demokratike është gjurmimi i këtyre parave dhe vënia përpara përgjegjësive të personave të përfshirë në këto afera kriminale.
“Qeveria e Edi Ramës është kthyer në shërbëtorin e pastrimit të parave të drogës dhe krimit. Gjithçka që po kryhet sot është në shërbim të pastrimit të parave dhe krimit. Koncesionet, tenderët, ndërtimet mbi truallin publik, po bëhen për pastrimin e parave të pista të drogës. Synimi i Edi Ramës është që përmes krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, të akumulojë sa më shumë para për veten dhe ortakët e tij. Synimi i vetëm i tij është grumbullimi dhe mbajtja e pasurive dhe parave të shqiptarëve. Gjithçka bëhet për këtë arsye. Koncenisoni Milo-Balldren është pastrim parash. Ndërtimi i stadiumit është pastrim parash. Tetari Kombëtar është pastrim parash. Pastrimi parave po vret ekonomin. PD-ja e ka prioritet luftën kundër pastrimit të parave. Do ndjekim paratë kudo që shfaqet, duke nisur nga zyrtarët e shtetit, e deri tek bandat kriminale. Do vëmë përpara përgjegjësisë të gjithë ata që merren me skemën pastrimit të parasë”, është shprehur Basha.