Basha në Britani të Madhe: Shkëmbimi i territoreve kërcënon paqen dhe stabilitetin rajonal
Në mbyllje te vizitës së tij në Britani të Madhe, lideri i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha ishte i ftuar i nderit në një darkë pune me anëtarë të Parlamentit dhe Dhomës së Lordëve në Londër.
Mes pjesëmarrësve në këtë darkë pune ishte lordi George Robertson, ish-sekretar i përgjithshëm i NATO-s dhe anëtar i Dhomës së Lordëve. Në darkë ishin të pranishëm edhe deputetët Crispin Blunt, Sir Mark Lyall Grant, dhe Gavin Williamson, anëtar i Parlamentit britanik dhe lidershipit të konservatorëve dhe ish-ministër i Mbrojtjes. Gjithashtu në darkë ishte i pranishëm edhe sir Hugh Orde, ish-kryedrejtuesi i Shërbimeve të Sigurisë në Irlandën e Veriut.
Në qendër të diskutimeve ishte siguria dhe stabiliteti në Evropën Juglindore dhe kriza politike në Shqipëri.
Në fjalën e tij gjatë darkës, kryetari Basha ka shprehur mirënjohjen për ndihmën e çmuar të Britanisë së Madhe për kapërcimin me sukses të sfidave jetike për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, në veçanti, në luftën e Kosovës dhe procesin e pavarësimit të saj, në konfliktin e armatosur në Maqedoni e Marrëveshjen e Ohrit dhe, së fundmi, Marrëveshja e Prespës që shërben për të konsoliduar perspektivën afatgjatë euroatlantike të rajonit, duke garantuar anëtarësimin e saj në NATO.
Basha ka ndarë e miqtë britanikë qëndrimin e qartë dhe të vendosur të Partisë Demokratike se përpjekjet dhe diskursi mbi kufijtë dhe shkëmbimin e territoreve shkon kundër këtyre arritjeve, duke kërcënuar paqen dhe stabilitetin rajonal dhe minuar perspektivën evropiane të vendeve dhe popujve të rajonit.
“Autokratët e korruptuar përbëjnë një kërcënim për demokracinë dhe stabilitetin. Kriza e thellë ne Shqipëri ilustron qartë se pa demokraci dhe sundim të ligjit nuk mund të ketë stabilitet dhe as zhvillim ekonomik”.
“Forcimi i institucioneve demokratike, kontrolli dhe kufizimi i pushteteve, drejtësia e pavarur dhe zgjedhjet e lira janë parakusht për integrimin e vendeve tona në BE. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë jetike për demokracinë dhe legjitimitetin e qeverisë para qytetarëve. Për këtë qëllim hapi më emergjent është shkëputja e lidhjeve të provuara mes krimit të organizuar dhe politikës”, ka thënë Basha.
Më tutje, Basha i ka informuar bashkëbiseduesit me propozimet e PD-së dhe opozitës së bashkuar për daljen nga kriza politike në Shqipëri përmes një procesi të lirë zgjedhor nën kujdesin e një qeverie transitore.
“Vetëm një qeveri e dalë nga vota e lirë mund të luftojë krimin e organizuar që e ka shndërruar Shqipërinë, sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, në një bazë operacionale të rrjeteve kriminale, që veprojnë nga Amerika në Evropë dhe Lindjen e Mesme”, ka thënë Basha.