Basha në Maqedoni: Shqiptarët të marrin pjesë në referendumin e 30 shtatorit
Kryetari i Parisë Demokratike, Lulëzim Basha, ka zhvilluar takime me faktorin politik në Maqedoni, ku ka bërë thirrje për të votuar në mbështetje të referendumit për emrin që do mbahet në 30 shtator.
Në përfundim të takimit më kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, Basha tha se vota pro referendumit është votë për të ardhmen e Maqedonisë euroaltantike.
“Jam këtu që në emër të Partisë Demokratike të mbështes dhe të përgëzoj nga zemra përpjekjet e palodhura të lidershipit shqiptar, të z. Ali Ahmeti, të kolegëve të tij, krah për krah edhe forcave të tjera politike të Maqedonisë që më 30 shtator të shënohet një kapitull i rëndësishëm për Maqedoninë por edhe për mbarë rajonin duke hedhur hapin vendimtar drejt anëtarësimit të Maqedonisë në NATO”, ka thënë Basha.
Ai ka shtuar se Partia Demokratike ka një porosi apo një këshillë, një mesazh për të gjithë qytetarët e Maqedonisë e në veçanti për bashkëkombasit shqiptarë.
“Të dalin masivisht e të marrin pjesë masovisht të gjithë në referendumin e 30 shtatorit dhe të hedhin votën e tyre për Maqedoninë në NATO dhe për të ardhmen e sigurt euroatlantike dhe europiane të Maqedonisë dhe mbarë rajonit”, u shpreh Basha.
Ndërsa, kreu i BDI-së, Ahmeti tha se vota e 30 shtatorit është një moment hstorik për maqedoninë.
“Është një moment historik që nuk përsëritet dhe tërësisht për këtë angazhim z Basha na dha përkrahjen e fortë që ne të vazhdojmë me përkushtim që vendi ynë të jetë anëtar i plotë në NATO, të jetë anëtar i plotë në Bashkimin Europian. dhe me 30 shtator vendoset jo vetëm për një Maqedoni stabile por për një rajon shumë më të sigurt, si për popujt që jetojnë këtu ashtu edhe vendet rajonit të Ballkanit Perëndimor. Prandaj do doja ta falenderoja nga zemra mikun tim Lulzim Bashën për këtë përkrahje kaq të sinqertë që po u jep jo vetëm shqiptarëve por të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë sepse 30 shtatori është paqja, stabiliteti, siguria, ardhmëria, marrëdhënia me fqinjët, janë në dobi të të gjithëve dhe nga paqja fitojmë të gjithë”, ka thënë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.