Basha në Mitrovicë: PD-ja u rreshtua kundër copëtimit të Kosovës
Pas takimit me kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri, lideri i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, ka thënë se sot po viziton kryeqytetin e kombit shqiptar, Mitrovicën.
Basha ka thënë se është kënaqësi të kthehet në këtë qytet, derisa pati fjalë të mira për Agim Bahtirin, duke thënë se është ruajtur integriteti territorial të vendit.
“Sot mund të them se kryeqyteti i kombit është Mitrovica. Qëndrimi i juaj i qartë dhe i prerë, ka qenë i një vlere të jashtëzakonshme për të përcjellë vullnetin e vërtetë. Në këtë kuadër jam krenar që PD-ja jemi bashkangjitur qëndrimit të drejtë kundër copëtimit të Kosovës dhe ruajtjes së integritetit territorial”, ka thënë Basha.
Ndërsa Agim Bahtiri ka falënderuar Bashën për këtë vizitë, duke shtuar se në takimin e radhës pret që atë ta mirëpresë si kryeministër të Shqipërisë.
“Këtë herë e kam pritur si kryetar partie, e herën tjetër si kryeministër Shqipërie. Këtij vendi i nevojiten njerëz që janë në shërbim të qytetarëve”, ka thënë Bahtiri.
Basha ka përsëritur edhe një herë se do të heq taksën në “Rrugën e Kombit”.
Për këtë ka thënë se si shef i qeverisë, ky do të jetë vendimi i parë që do të marrë.
Basha ka thënë se ka një plan konkret për raportet me Kosovën dhe se do të bashkëpunohet në fushën e energjisë dhe atë diplomatik.