Basha në takim me presidenten kroate: Idetë për shkëmbim territoresh, të rrezikshme
Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, ka zhvilluar të premten një takim me presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq.
Në këtë takim, Basha ka shprehur angazhimin e tij për të vijuar bashkëpunimin e suksesshëm me Kroacinë.
Po ashtu Basha ka theksuar domosdoshmërinë e ngritjes së marrëdhënieve shqiptaro-kroate në nivele strategjike për rajonin.
“Nuk duhet të mjaftohemi vetëm me konstatimin e mungesës së problematikave por duhet të investohemi në thellimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve në rrafshin politik dhe ekonomik. Dy vendet tona duhet të jenë promotore dhe mbështetëse të fuqishme të avancimit të vendeve të rajonit drejt anëtarësimit në NATO dhe BE, rritjes së bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor”,ka thënë Basha.
Lideri i opozitës e ka vlerësuar si zhvillim shumë pozitiv marrjen e ftesës për anëtarësim e Maqedonisë në NATO.
Ai ka shprehur mbështetjen për përfundimin me sukses të marrëveshjes për çështjen e emrit dhe anëtarësimin e saj të plotë në një kohë sa më të shkurtër të mundshme në NATO si kontribut i rëndësishëm për paqe dhe stabilitet në rajon.
Basha i ka cilësuar të rrezikshme për paqen dhe stabilitetin idetë për shkëmbime territoresh të cilat sipas tij çojnë drejt hapjes së kutisë së Pandorës. (Gazeta shqip)