Basha në Vjenë për protestat
Menjëherë pasi ka lënë mandatin e deputetit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka udhëtuar drejt Vjenës.
Në rrjetet sociale është shpërndarë një video e Bashës në aeroport me Shkëlzen Berishën.
Zyra e për Informim e PD-së nuk ka shpërndarë asnjë njoftim zyrtar, ndërsa në rrjetet sociale vetë Basha ka treguar se ndodhej në Asamblenë Parlamentare të OSBE, teksa ka ripostuar një postim të Partive Popullore Evropiane, ku thuhej se kryedemokrati ka raportuar mbi situatën shqetësuese në Shqipëri, protestat kundër qeverisë socialiste, korrupsionin, trafikun e drogës dhe zhvillimet jodemokratike në vend.
Basha ka qëndruar pak orë në Vjenë dhe është kthyer në Tiranë sepse pasditen e se premtes kishte thirrur Kryesinë e PD-së për vazhdimin e aksionit opozitar.
“Top Channel”, ka mësuar se në selinë e Partisë Demokratike ka nisur marrja e deklarimeve të kandidateve pasues në listat e PD-së të cilët nuk do ta pranojnë mandatin e deputetit që lanë kolegët e tyre.
Edhe pse ka një vendim politik të Këshillit Kombëtar, procesi është duke ecur më ngadalë se sa dorëheqjet kolektive të deputetëve.
Në mungesë të Bashës në Tiranë Sali Berisha ka reaguar për ndërkombëtarët të cilët në bllok kanë dalë kundër vendimit ekstrem të opozitës për të djegur mandatet.
“I mirëkuptoj miqtë ndërkombëtarët. E di që nuk e kanë për keq. Por i ftoj të vijnë këtu të shohin një realitet krejt ndryshe nga sa lexojnë në dosje”, ka thënë Berisha.
Pas 28 vitesh, Sali Berisha nuk do të ketë mandat deputeti. Ish-kryeministri kishte një përgjigje për të gjithë ata që e lidhin lënien e mandatit me frikën nga SPAK-u.
“Të kesh imunitet dhe të mos kesh, është si dita me natën. Ftoj t’i lënë mandatet dhe të barazohemi. Kjo është marrëzi”, është shprehur Berisha.
Ish-kryeministri Berisha është shprehur i sigurt se djegia e mandateve nuk do të përkthehet në bojkot të zgjedhjeve.
“Po përgatitemi fuqishëm, por zgjedhje me Edi Ramën s’do ketë. I bej thirrje socialistëve të largojnë Edi Ramën, ndryshe do ndëshkohet në mënyrën me të keqe”, ka thënë Berisha.