Basha nga Elbasani ‘sulmon’ Berishën

29 maj 2023 | 12:35

Ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka takuar anëtarë të kësaj partie në Elbasan, me të cilët ka thënë se ka pasur një bashkëbisedim të hapur mbi shqetësimet që të gjithë si demokratë bashkëndajnë sot.

Ai ka thënë se zgjedhjet e 14 majit dëshmuan ndër të tjera dhe efektin e luftës brenda tyre, vendosjen e interesave personale mbi ato të demokratëve dhe shqiptarëve.

“Pikërisht që kjo mos të ndodhte, unë bëra një hap pas një vit më parë. Por fatkeqësisht pala tjetër jo vetëm që s’u tërhoq, por udhëhoqi një luftë të paprincipt, bazuar në sharje, shpifje, linçime ndaj çdokujt që nuk mendonte si ai. Dhe rezultati, sot jemi shumë më keq se një vit më parë. Ballafaqimi mes nesh është i domosdoshëm për të përcaktuar rrugëtimin e familjes sonë politike. Koha është e vërteta më e madhe. Dhe siç është parë deri më sot, ajo ka nxjerrë në dritë të gjitha gënjeshtrat, mashtrimet. Unë kam heshtur, jo se s’kam çfarë të them, qoftë për personin të cilin e njoh mirë, qoftë për sulmet ndaj meje. Por siç e kam thënë vazhdimisht dhe siç u faktua, lufta mes nesh forcon vetëm kundërshtarin tonë politik”, ka thënë Basha.

Ai ka shtuar se sot përballë këtij udhëkryqi, kanë në dorë të zgjedhin nëse do të vazhdojnë të mbetën të bllokuar në vendnumëro.

“Të merremi me sulme-kundërsulme mes njëri-tjetrit, apo të punojmë të gjithë bashkë për ndërtimin e një alternative konkurruese, në të cilën të reflektohen shpresat e shqiptarëve për ndryshim. Ne duhet të punojmë t’u japim mundësi shqiptarëve të zgjedhin ata, përmes hapjes së listave. Ne duhet t’i mbyllim çdo shteg politikës së përbaltjes, përmes vetingut të politikanëve. Ne duhet të ndalim abuzimin e kryeministrit të vendit, duke i kufizuar mandatin. Duhet të zhbëjmë të keqën që nisi me ndryshimet kushtetuese të 2008-s dhe t’u japim fuqi qytetarëve!”, ka theksuar Basha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi…