Basha: Partia Demokratike ka rrëzuar kultin e individit
Kryetari tashmë i kontestuar i Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), Lulzim Basha ka thënë se demokratët do të bashkohen më 18 dhjetor, në Kuvendin Kombëtar “për të zgjedhur sërish të ardhmen”.
“Demokratët do të bashkohen më 18 dhjetor për të zgjedhur sërish të ardhmen, e me qytetari do të ofrojnë modelin e ndryshimit që shqiptarët kërkojnë, për t’i dhënë fund tranzicionit”, shkroi Basha në një postim në “Facebook”.
Ai ka thënë se partia që ai drejtoi nga vitit 2013, rrëzoi “kultin e individit”.
“Ora më e errët është ajo pak përpara agimit. Kështu ishte 31 vite më parë, kur Partia Demokratike e Shqipërisë u themelua për të ndarë të ardhmen nga e shkuara, për të sjellë lirinë, për të rrëzuar kultin e individit dhe për ta ribashkuar Shqipërinë me Perëndimin. Kështu është sot. Prandaj ditët më të mira i kemi përpara”, ka shkruar Basha.