Basha, pas provokimit të Vuçiqit: Kosova e pavarur, realitet i pakthyeshëm
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha reagon pas provokimit të presidentit të Serbisë Aleksander Vuçiq, i cili në një postim të tijin në rrjetet sociale mbi hartën e Kosovës vendoste flamurin serb.
Sipas Bashës, Kosova e pavarur është një realitet dhe se sjellje të tilla vetëm e dëmtojnë Serbinë. “Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm. Shfaqje të tilla nacionaliste dëmtojnë vetëm Serbinë dhe tregojnë qasjen destruktive të lidershipit të saj”, ka thënë Basha.
Reagimi i plotë i Lulzim Bashës:
Deklaratat dhe veprimet e Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç nuk i shërbejnë bashkëpunimit, paqes dhe stabilitetit në rajon, ato nxisin konflikt dhe përçarje.
Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm. Shfaqje të tilla nacionaliste dëmtojnë vetëm Serbinë dhe tregojnë qasjen destruktive të lidershipit të saj.
Sa më shpejt të pranohet realiteti i Kosovës së lirë dhe të pavarur, aq më mirë do të jetë për Serbinë, popullin e saj dhe gjithë Ballkanin për të ecur më shpejt drejt BE-së si interesi më i mire i popujve tanë.
Më herët, në një reagim të tijin, ish kryeministri Sali Berisha i bënte apel Kosovës të shpallte “non grata” Aleksander Vuçiç.