Basha: PD-ja regjistrohet në zgjedhje, por me kushte
Mësohet se në mbledhjen e përbashkët mes Kryesisë së Partisë Demokratike (PD) dhe grupit parlamentar të kësaj partie, Lulzim Basha, ka propozuar marrjen e tri vendimeve të rëndësishme, të cilat janë miratuan nga Kryesia.
Ai ka kërkuar që PD-ja të regjistrohet për në zgjedhjet e ardhshme lokale, por me kushtin që të jetë krijuar terreni për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kusht, që sipas tij, aktualisht nuk është i plotësuar.
Më tej Basha ka kërkuar që PD-ja të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, si edhe ka kërkuar që të mandatohet ai dhe sekretari i përgjithshëm për të negociuar me partitë politike të opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Pasdite e kësaj të enjte Basha ka programuar edhe një takim me Këshillin Kombëtar të PD-së, ku do të diskutojë pikërisht këto tre propozime.
Këto janë propozimet e Kryesisë së PD-së për Këshillin Kombëtar të kësaj partie:
1. Partia Demokratike e Shqipërisë të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kriza e rëndë politike në vend, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave.
2.Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtës së votës së lirë të pamundësojë mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga krimi i organizuar dhe paratë e pista që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
3.Të mandatojë Kryetarin e Partisë dhe Sekretarin e Përgjithshëm për të negociuar me partitë politike të opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar për plotësimin e këtyre objektivave, përfshirë, mandatin dhe detyrat e Qeverisë tranzitore dhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. /TCh/