Basha: Pengesa për në BE është Rama
Kreu i Partisë Demokratike (PD), Lulzimi Basha, ka komentuar sërish sot vendimin për djegien e mandateve duke thënë se nuk është thjesht djegie mandati, por se nuk do të ketë më Kuvend.
Basha e quajti Ramën pengesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE.
“Në qoftë se dikush pretendon se në Evropë shkohet me një qeveri të lidhur me bandat dhe problemi është opozita që kundërshton këtë. Shqiptarët janë zgjuar nga këto gënjeshtra. Tri herë dera e Evropës është mbyllur për këto arsye ndaj kjo është një thirrje për realizëm, për përgjegjësi. Ne na duhet një BE me besueshmëri. Besueshmëria e atyre që flasin në emër të BE-së është shumë e rëndësishme në këtë proces pa kthim të mbrojtjes së demokracisë, pushtetit ligjor dhe ndarjen e kontrollin e demokracisë”, ka thënë Basha, transmeton “Top Channel”.
Një ditë pasi deputetët e PD-së vendosën djegien e mandateve, kreu i PD-së, Lulzim Basha ka takuar sot kryetarin e Këshillit Kombëtar të PD-së, Bujar Nishanin, ku është diskutuar pikërisht për këtë çështje.
Në përfundim të këtij takimi, i pyetur nga gazetarët Basha ka thënë se hapi i parë që duhet ndërmarrë është dorëheqja e Kryeministrit Rama, ndërsa theksoi se nuk ka kthim pas.
“Nuk ka kthim prapa, nuk është thjesht djegie mandatesh, nuk do ketë më parlament, nuk do ketë parlament fasadë, ata mund të mblidhen të marrin vendime dhe shqiptarët do i përgjigjen. Ne do të jemi krah qytetarëve. Nuk ka lëvizje më pro Evropës se kjo që po bën PD-ja”, ka deklaruar Basha.