Basha për Berishën: Ish-deputeti i PD-së shoqërohet me kriminelë

21 dhjetor 2021 | 15:23

Lideri i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat ka reaguar pas mbledhjes së zhvilluar në selinë e PD-së nga ish-kryeministri, Sali Berisha.

Basha ka theksuar se PD-ja është e fokusuar te njerëzit, ndërsa Berisha po bëhet pengesë për çdo hetim.

Kështu ai ka sjellë në vëmendje vendimin e Kuvendit Kombëtar të PD-së, duke u shprehur se Sali Berisha, i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është zyrtarisht jashtë çdo funksioni në këtë parti.

“Hetimi i inceneratorëve duhet të ishte sot kryefjala e çdo televizioni, por jo, do merremi me Berishën, i cili është i dëshpëruar për dështimin dhe po zbrazet në dyert e PD-së”, ka thënë Basha.

Basha ka thënë se Fatjon Dautaj i kërkuar nga autoritetet britanike, ka shqelmuar derën e sallës së mbledhjeve të PD-së, me urdhër të ish-kryeministrit Berisha.

Sipas tij, Berisha është duke u shoqëruar nga eksponentë të krimit.

Duke u rikthyer te tema e “korrupsionit të qeverisë”, Basha ka bërë me dije se partia e tij do të dorëzojë në gjykatë një dosje të plotë me  “prova të shpërdorimit me fondet publike”.

“Fondet e tërmetit janë vjedhur. Brenda dhjetorit, PD-ja do të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese padinë sa i takon korrupsionit me tenderat e rindërtimit”, ka thënë Basha.

Ai i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama, që të mos pengojë seancën e komisionit për inceneratorët, që do të zhvillohet nesër (e mërkurë) në orën 12:00.

Sipas Bashës, Lefter Koka nuk ka vepruar i vetëm në këtë “aferë korruptive”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me iniciativë të kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati…