Basha përkujton Azem Hajdarin, por pa Rudina Hajdarin dhe Sali Berishën

12 shtator 2021 | 13:06

Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha dhe drejtuesit e PD-së kanë zhvilluar homazhe në Memorialin e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari, por siç nuk ka ndodhur më parë ka munguar e bija Rudina Hajdari dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Në mesazhin e tij, lideri demokrat ka theksuar se sot kujtohet njeriu që ka ndezur shpirtrat dhe ka vrarë frikën e shqiptarëve anembanë vendit për liri dhe demokraci.

Basha ka se vepra dhe sakrifica e Azem Hajdarit mbetet model frymëzimi për të mos iu nënshtruar dhunës së regjimit.

Reagimi i Bashës:

Sot, si çdo 12 shtator, përkujtojmë liderin e Lëvizjes Studentore, njeriun që ndezi shpirtrat dhe vrau frikën e shqiptarëve anembanë vendit për liri dhe demokraci, të paharrueshmin Azem Hajdari dhe mikun e bashkëluftëtarin e tij, Besim Çera.

Vepra dhe sakrifica e Azem Hajdarit mbetet model frymëzimi për të mos iu nënshtruar dhunës së regjimit, për të luftuar me vendosmërinë e heroit të demokracisë dhe për të çuar deri në fund idealin e Shqipërisë si gjithë Europa.

Mirënjohja dhe krenaria për Azem Hajdarin na bashkon, sidomos kur fatet e demokracisë janë të pasigurta dhe perspektiva europiane e Shqipërisë kërcënohet nga regjimi i pakicës së korrupsionit dhe krimit.

Si demokratë ne mbajmë në zemrat tona kujtimin më të mirë për tribunin e pavdekshëm, që sot e përgjithmonë na nxit të qëndrojmë dhe të luftojmë të bashkuar deri në triumfin e lirisë dhe demokracisë.

I paharruar kujtimi i tij!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Frika se mund të humbasë një vit akademik e detyroi…