Basha: S’ka asnjë përçarje në gjirin e opozitës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është shprehur i bindur se nuk ka asnjë përçarje në gjirin e opozitës.
Në konferencë për medie, ai ka deklaruar se 13 tetori është e vetmja datë zgjedhjesh, ku sipas tij, institucionet e administrimit të zgjedhjeve duhet të zbatonin dekretin e Presidentit.
Basha ka paralajmëruar se kur institucionet shkelin dekretin dhe Kushtetutën, ato duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi penale. “Vendimi i opozitës për të mos hyrë në zgjedhjet e qershorit ishte unanim. Disa parti të opozitës u regjistruan për në zgjedhjet e 13 tetorit, si një mënyrë për të mos çuar KQZ në paligjshmëri”, është shprehur Basha, duke vlerësuar kontributin e Presidentit Ilir Meta për zgjidhjen e krizës.
Ai ka shtuar se rruga e zgjidhjes së krizës politike, është zgjedhje të lira dhe të ndershme pa Edi Ramën kryeministër dhe mbajtja në një ditë e zgjedhjeve të përgjithshme.