Basha takohet me delegacionin amerikano-hebraik: Orë e errët për Shqipërinë
Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha është takuar me delegacionin e Komitetit Amerikano- Hebraik ACJ. Gjatë këtij takimi, Basha i ka shprehur këtij komuniteti shqetësimet e tij rreth krizës politike, duke i thënë se PD-ja është e vendosur për të vazhduar betejën kundër korrupsionit në këtë orë të errët në Shqipëri.
“Takim i përzemërt dhe shumë miqësor me delegacionin e Komitetit Amerikano- Hebraik ACJ, të kryesuar nga drejtori ekzekutiv, z. David Harris. I shpreha z. Harris mirënjohjen për mbështetjen e çmuar ndër vite të Shteteve të Bashkuara për demokracinë dhe liritë civile dhe politike të qytetarëve shqiptarë si dhe domosdoshmërinë për ta vazhduar betejën në këtë orë të errët në Shqipëri, për vlerat dhe parimet themelore të zgjedhjeve të lira, barazisë para ligjit dhe ndarjes dhe kontrollit të pushteteve”.
“I sigurova miqtë amerikanë se në vend të heshtjes apo dorëzimit para modelit të dështuar të despotizmit lindor, korrupsionit dhe shkatërrimit të lirisë dhe demokracisë, ne do të vazhdojmë pa kompromis me standardet evropiane dhe amerikane, betejën tonë deri në triumfin e vlerave të përbashkëta perëndimore të lirisë, demokracisë dhe mundësive për çdo shqiptar”, ka shkruar Basha në llogarinë e vet në “Facebook”.