Basha: Vendi në prag të katastrofës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka thënë se vendi ndodhet ne situatë katastrofike sa i përket situatës me pandeminë dhe ekonominë.
Sipas tij, të vetmit që po kujdesen për qytetarët janë mjeket dhe infermierët, ndërsa qeveria i ka braktisur duke mos pasur asnjë plan.
Lideri i opozitës ka akuzuar qeverinë se nuk ka asnjë plan për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga koronavirusi por dhe të goditur ekonomikisht.
Basha ka deklaruar se kriza e pandemisë dhe kriza ekonomike, po rëndohen çdo ditë, ndërsa mjekët dhe infermierët janë sot të vetmit që kujdesen për qytetarët.
“Në kulmin e pandemisë, kur numri i të infektuarve dhe atyre që humbin jetën po rriten frikshëm, kryeministri nuk ka asnjë plan për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe ekonomisë, asnjë strategji për pandeminë, asgjë përveç propagandës dhe heshtjes apo sulmeve trashanike ndaj çdokujt, që kërkon transparencë dhe veprim”, ka deklaruar Basha.
Basha ka deklaruar se situate në rrethe është katastrofike, duke shtuar se qytetarët i blejnë vetë aparaturat e oksigjenit. “Censura për atë ç’ka po ndodh realisht, gënjeshtrat e përsëritura për hapjen e spitaleve të reja COVID, pamjet e rënda të familjarëve që sigurojnë aparatura dhe medikamente për të afërmit e tyre të shtruar në spital, janë pasqyra e qartë e dështimit të qeverisë përballë pandemisë.”, ka deklaruar ai.
Sipas Bashës mosveprimi dhe mungesa e masave për të mbrojtur spitalet dhe qendrat shëndetësore, i ktheu ato në vatra të rrezikshme të përhapjes së virusit.
Shqiptarët, ka deklaruar ai, po kalojnë ditët me ankthin e kërcënimit ndaj shëndetit, me frikën e humbjes së vendit të punës dhe pamundësisë që i kërcënon çdo ditë.