Basha: Zotohem se Kuvendi i ri i Shqipërisë do ta votojë rezolutën për gjenocidin serb

18 dhjetor 2020 | 11:57

Kryetari i Partisë Demokratike (PD) në Shqipëri, Lulzim Basha, e ka mbështetur thirrjen që presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani i ka bërë Kuvendit të Shqipërisë që të miratojë një rezolutë që dënon gjenocidin serb.

“Jam i brengosur nga fakti që në një kohë të vështirë për Kosovën, Prishtina zyrtare, institucionet dhe populli i Kosovës nuk e ka mbështetjen që duhet ta ketë nga Shqipëria. Kjo do të ndryshojë. Në këtë kuadër zotohem po kështu se Kuvendi i ri i Shqipërisë do të miratojë, jo thjesht dhe vetëm, rezolutën për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë, por edhe një kuadër të veçantë që do të obligojë të gjitha institucionet e Republikës së Shqipërisë të jenë edhe një herë në mbështetje totale të institucioneve të Kosovës siç ka qenë rasti para pak vitesh”.

“Ne nuk mund të lejojmë që historia të rishkruhet nga agresorët. Ne nuk mund të lejojmë që vlerat dhe parimet për të cilat u ngritën bijtë dhe bijat e Kosovës, për të cilat u flijuan më të mirët e kombit tanë dhe për të cilat patëm mbështetjen e aleatëve tanë strategjikë të nëpërkëmben nga ata që shkaktuan kaq shumë vuajtje, humbje jetësh dhe gjak, në veçanti në gjenocidin në Kosovë”, ka thënë Basha.

Basha ka thënë se pas 25 prillit, kur edhe do të mbahen zgjedhjet në Shqipëri, do të ketë një ndryshim rrënjësor të qasjes së Tiranës ndaj Prishtinës.

“Dua të përsëris para institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës zotimin tim dhe të Partisë Demokratike se pas 25 prillit do të ketë një kthesë rrënjësore, një ndryshim rrënjësor të qasjes së Tiranës në mbështetje totale të institucioneve të Kosovës dhe në vendosjen e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë në rrafsh të bërë duke zhbërë atë që fatkeqësisht edhe Komisioni Evropian ka konstatuar si një rënie e nivelit të bashkëpunimit mes Tiranës dhe Prishtinës çka është e papranueshme për PD-në. Në themel të ekzistencës sonë gjithmonë ka ekzistuar çështja kombëtare. Jam krenar që personalisht dhe si pjesë e PD-së kemi bërë gjithçka për pavarësimin e Kosovës dhe njohjen e saj ndërkombëtare”, ka thënë Basha.

Më tutje, ai ka thënë se e mbështet dialogun me Serbinë i cili, sipas tij, duhet të përfundojë me njohjen ndërsjellë në mes të dy shteteve.

Lulzim Basha dhe presidentja në detyrë e Kosovës Vjosa Osmani janë takuar në kuadër të vizitës së parë zyrtare që kjo e fundit është duke e zhvilluar në Shqipëri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lamtumirë kapitenit karizmatik Jack Sparrow. Disney, e cila zotëron të…