Bashar al-Assad nis mandatin e katërt si president i Sirisë
Lideri i kahmotshëm i Sirisë, Bashar al-Assad është betuar si president për të nisur mandatin e katërt shtatë vjeçar në Siri.
Kjo vjen pas zgjedhjeve të muajit maj që nga opozita u cilësuan si të manipuluara.
Assadi më 17 korrik u bëri thirrje sirianëve të kthehen në atdheun e tyre dhe i falenderoi personat që votuan për të.
“Ju vërtetuat me vetëdijen tuaj dhe lidhjen atdhetare që njerëzit nuk bëjnë kompromis me vendosmërinë e tyre për të mbrojtur të drejtat e tyre, pa marrë parasysh truqet e kolonialistëve”, tha ai.
Bazuar në rezultatet zyrtare të kundërshtuara, Assadi fitoi 95.1 për qind të votave në zgjedhjet e 26 majit, që u mbajtën në pjesën e shtetit të kontrolluar nga qeveria.
Qeveria e Assadit është e mbështetur nga Rusia dhe Irani, të dy këto shtete që kanë dërguar forca ushtarake dhe ndihma të tjera për të gjatë konfliktit.
Assadi ka udhëhequr Sirinë nga viti 2000, pas vdekjes së babait të tij që e mori pushtetin përmes një grushteti në vitin 1970.