Bashkatdhetarët nga Gjermania dhurojnë rreth 4 mijë euro për familjen Abazi
Një grup i bashkatdhetarëve nga Kaiserslautern i Gjermanisë, së bashku me kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri, i kanë dorëzuar të enjten një donacionin prej 3 mijë e 885 euro familjes Abazi nga Livoçi i Epërm, e cila nga tërmeti në Shqipëri ka humbur dy djemtë e saj, Isën e Shemsedinin.
Paraprakisht, kryetari Haziri i ka pritur në takim grupin e bashkatdhetarëve të kryesuar nga Xhevat Berisha, të cilët i ka falënderuar për solidaritetin e madh për këtë familje.
Haziri ka thënë se është lajm i mirë që edhe pas mbrëmjes humanitare “Pak nga ne, shumë për ata IV”, donacionet e njerëzve të vullnetit të mirë po vazhdojnë, për t’i dalë në mbështetje kësaj familje.
Përndryshe, në mbrëmjen humanitare “Pak nga ne, shumë për ata IV”, e cila është mbajtur të shtunën janë premtuar mbi 100 mijë euro për familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri.