Bashkatdhetari Qazim Hoti ndihmon 25 familje në prag të festës së Vitit të Ri

27 dhjetor 2019 | 15:52

Bashkatdhetari dhe humanisti nga Carralluka e Malishevës, Qazim Hoti, sikurse në çdo festë edhe kësaj radhe në prag të ndërrimit të moteve, ka dhuruar 2 500 euro përkrahje për 25 familje në nevojë në Komunën e Malishevës.

Mërgimtari Hoti në vazhdimësi në të gjitha festat fetare apo në ato të fundvitit, ndihmon familjet në nevojë dhe këtë ndihmë e përcjellë përmes institucionit të komunës, përkatësisht Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Për këtë qëllim, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, e ka pritur në takim mërgimtarin Qazim Hoti, të cilin e ka falënderuar për këtë ndihmë. “Në emër të Komunës së Malishevës ju falënderoj për këtë ndihmë dhe ndihmat tjera që ju në vazhdimësi i kenë dhënë për familjet në nevojë. Po ashtu, ju siguroj se mjetet e juaja do të shkojnë në familjet që më së shumti kanë nevojë dhe të cilat janë në listën e familjeve me gjendje të rëndë sociale, në drejtorinë përkatëse”, ka thënë Berisha.

Ndërsa mërgimtari dhe humanisti Qazim Hoti, ka thënë se është i sigurt se këto ndihma do të shkojnë në familjet që kanë nevojë. “Unë jam nga ky vend, kjo është vendlindja ime dhe këta njerëz janë të vendit tim. Unë e kam mundësinë që nga buxheti familjar të ndihmoj në raste të caktuara njerëzit në nevojë dhe dëshiroj që fëmijët e këtyre familjeve të ndihen të barabartë me të gjithë fëmijët tjerë në prag të festës së Vitit të Ri”, ka thënë Hoti.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është mbajtur Konferenca Teatrore, edicioni II, me temën “Dimensionet e…