Bashkëluftëtari i Adem Jasharit tregon arsyet që e shtynë që të bëhet pjesë e Shtëpisë së Pleqve
Bashkëluftëtari i Adem Jasharit, Ragip Jashari ka dalur me një reagim sqarues lidhur me pranimin e tij në Shtëpinë e Pleqve.
Ragipi ka shkruar se ky sqarim vjen pas reagimeve të shumta ndaj tij lidhur me postimin e Halil Kastratit ku është njoftuar se tanimë është banor i shtëpisë së pleqve.
“Reagimet e shumta që ka ngjallur postimi: “Halil a pijmë nga një kafe bashkë”, në rrjetin e tij social në fejsbuk nga drejtori i shoqatës humanitare “Jetimat e Ballkanit”, z. Halil Kastrati, më kanë shtyrë mua, Ragip Jasharin, nga Prekazi, që të bëj një sqarim për opinionin”, ka shkruar Ragip Jashari.
Postimi i plotë i bashkëluftëtart të Adem Jasharit, Ragip Jasharit:
Sqarim për opinion nga Ragip Jashari!
Reagimet e shumta që ka ngjallur postimi: “Halil a pijmë nga një kafe bashkë”, në rrjetin e tij social në fejsbuk nga drejtori i shoqatës humanitare “Jetimat e Ballkanit”, z. Halil Kastrati, më kanë shtyrë mua, Ragip Jasharin, nga Prekazi, që të bëj një sqarim për opinionin. Fillimisht dua t’i falënderoj të gjithë që kanë shprehur shqetësimin e tyre për gjendjen time shëndetësore, që kanë shprehur mbështetjen dhe respektin e tyre për mua, duke qenë se që dy javë së bashku me gruan, për shkak të gjendjes sonë të rënduar shëndetësore, kemi aplikuar dhe jemi vendosur në Shtëpinë e të Moshuarve “Jetimat e Ballkanit” në Gjinoc. Falënderojmë dhe e vlerësojmë jashtëzakonisht pritjen dhe kujdesin nga z. Halil Kastrati dhe gjithë stafi i Shtëpisë së të Moshuarve.
Në anën tjetër, ndoshta për shkak të mungesës së informacionit, ka pasur edhe reagime që në thelb mund të kenë qenë dashamirëse, por të gabuara e në ndonjë rast edhe tendencioze duke tentuar të keqpërdoret emri im nga ndonjë person, medium… Për të sqaruar opinionin dhe për të mos lejuar keqpërdorimin e emrit tim, ju informoj se unë Ragip Jashari, bashkëluftëtar i Adem Jasharit, kam qenë i detyruar që së bashku me gruan të vendosemi në Shtëpinë e Pleqve, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore që kemi dhe jo për shkak të moskujdesit nga institucionet përkatëse në Skënderaj, Mitrovicë dhe Prishtinë.
Ka 3 vjet që unë dhe gruaja ime përballemi me probleme serioze shëndetësore dhe një pjesë të madhe të kohës kemi qëndruar nëpër mjekë, duke filluar nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Skenderaj, mandej në Spitalin e Mitrovicës dhe herë në QKUK. Gruaja vazhdon të jetoj më oksigjeno terapi si pasojë e Covid -19, ndërsa unë me gjendje të rënduar nga diabeti, por edhe disa komplikime të tjera, duke më pamundësuar të lëvizi pa karrocë. Si rrjedhojë ishte e pamundur që familjarët, ata që jetojnë brenda dhe jashtë vendit, të kujdeseshin 24 orë pa ndërprerë për ne të dy, meqë përveç të tjerash ne kemi nevojë të përditshme për terapi, për analiza shëndetësore, për infuzione etj.
Gjatë gjithë kësaj kohe sa jemi përballur me këto probleme shëndetësore, nuk e kemi ndjerë mungesën e kujdesit dhe ndihmës nga familjarët, përkundër se ne nuk kemi trashëgimtarë. Të gjithë kanë qenë pranë nesh vazhdimisht, duke u kujdesur për ne, duke na ndihmuar për gjithçka që kemi pasur nevojë. Faleminderit prej të gjithëve.
Faleminderit për interesimin, ndihmën dhe mbështetjen nga baca Rifat Jashari, nga Bekim Jashari, dhe të gjithë kushërinjtë tjerë. Faleminderit prej shoqërisë sime nga të katër anët e Kosovës, të cilët më janë gjendur pranë dhe nuk më kanë harruar asnjë herë. Faleminderit prej mërgimtarëve. Faleminderit prej teknikëve, mjekëve dhe drejtuesve komunalë në Skenderaj, të cilët na janë gjendur sa herë kemi pasur nevojë. Faleminderit prej mjekëve dhe teknikëve në Mitrovicë dhe QKUK.
Në fund ju lus që për shkak të gjendjes sonë shëndetësore të mos na bëni pjesë të lajmeve, komenteve dhe agjendave tendencioze dhe politike. Unë kam qëndruar larg politikës vazhdimisht dhe afër familjes sime, miqve, kushërinjve, bashkëluftëtarëve dhe atdheut tim. Mua më mban gjallë lavdia e Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk kam bërë asgjë tjetër vetëm e kam vënë veten në mbrojtje të atdheut tim atëherë kur ishte koha, por atdheu s’ma ka asnjë borxh. Nëse do Zoti dhe e marr veten, shpresojë të takohemi në ditë më të mira në shtëpinë time në Prekaz, në të kundërtën ju lus që të na respektoni dhe të mos na shqetësoni!
Me respekt,
Ragip Maliq Jashari