Bashkëpunimi Kosovë-Mali i Zi për ngritjen e cilësisë së jetës po vazhdon

03 shkurt 2019 | 14:28

Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për ngritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve po vazhdon. Në konferencën solemne me rastin e shpalljes së Thirrjes së Dytë për dërgimin e projekt-propozimeve në kuadër të IPA Programit të bashkëpunimit ndërkufitarë Mal i Zi-Kosovë (2014- 2020), e cila është mbajtur javën e kaluar është theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Udhëheqësja e Strukturës operative në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Rozafa Ukimeraj, ka deklaruar se bashkëpunimi në mes të Malit të Zi dhe Kosovës i filluar në vitin 2010 sot ka sjell të arritura konkrete. Ajo ka inkurajuar të gjithë aplikantët  potencialë që të konsiderojnë hartimin e projekteve të përbashkëta me komunat dhe institucionet komunale që janë pjesë e Programit, pasi ato garantojnë qëndrueshmëri më të madhe të projekteve pas përfundimit të zbatimit. Po ashtu, ajo shpreson se edhe aplikantët e tjerë potencial gjithashtu do të aplikojnë në kuadër të kësaj Thirrje.

Kurse, shefi i Strukturës Operative të Malit të Zi, Vuçiq Qetkoviq, ka deklaruar bashkëpunimi  ndërkufitar mes Kosovës dhe Malit të Zi është i rëndësishëm për të dy vendet. Ai ka treguar se bashkëpunimi i mirë midis këtyre dy vendeve ka  rezultuar  në kontraktimin e shtatë projekteve brenda Thirrjes së parë, me vlerë totale prej 2.02 milion euro. Ai kujtoj se në kuadër të Thirrjes së Parë, gjithsej 75 projekt-propozime janë dërguar me fonde të kërkuara, 10 herë më të larta sesa ato që ishin në dispozicion. Sipas tij, kjo tregon nevojën dhe interesin e përfituesve potencialë në të dy anët e kufirit për të zbatuar së bashku projekte që do të kontribuojë në përmirësimin e standardeve dhe cilësisë së jetës së njerëzve në zonën kufitare. Ai ka informuar pjesëmarrësit se kjo Thirrje është përqendruar në dy prioritete tematike të lidhura me punësimin, mobilitetin e punës dhe përfshirjen sociale dhe kulturore në të dy anët e kufirit, si dhe me promovimin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore dhe natyrore.

Afati i fundit për dorëzimin e propozimeve është 15 prill 2019.

Konferenca është ndjekur nga gjithsej 119 pjesëmarrës nga të dyja anët e kufirit duke përfaqësuar strukturat operative, komunat, institucionet/ndërmarrjet lokale dhe nacionale, institucionet arsimore, dhe sektorin e shoqërisë civile.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrëmë rreth orës 20:30 është thyer dera e një xhamie…