Bashkëpunimi me LDK-në mund të përfshinte dy mandate qeverisëse
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LV ), Besnik Bislimi, ka bërë me dije se një koalicion parazgjedhor opozitar do të dërgonte një sinjal të fuqishëm te qytetarët për një erë të re të qeverisjes në Kosovë.
Ai ka thënë se një bashkëpunim parazgjedhor LV-LDK do të ishte një shpresë për qytetarët e Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Bislimi ka treguar se një pajtim i tillë do të mund të përfshinte dy mandate qeverisëse.
“Për të siguruar një fitore bindëse edhe para datës së mbajtjes së zgjedhjeve, një fitore që do të dërgonte një sinjal të fuqishëm te qytetarët për një erë të re të qeverisjes në Kosovë, një koalicion parazgjedhor opozitar do të ishte rruga e duhur. Një pajtim i tillë do të mund të përfshinte dy mandate qeverisëse, e pse jo do të mund të përfshinte edhe një marrëveshje për fitoren në të gjitha komunat e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme lokale”, ka thënë Bislimi.
Ai ka treguar se nëse hiqet dorë nga interesat e ngushta nuk është i pamundshëm një koalicion i tillë.
“Nëse dy subjektet politike arrijnë t’i kalkulojnë përfitimet kombëtare dhe afatgjata nga një bashkim i tillë forcash, por edhe aspektet pozitive që do të rezultonin edhe për vetë subjektet politike, atëherë koalicioni është lehtësisht i arritshëm. Natyrisht se mund të ketë rezistencë të brendshme nga elementë që mbase kanë përfitime të drejtpërdrejta apo të tërthorta nga qeverisja e korruptuar, por shoh hapësirë për margjinalizim të tyre”, është shprehur ai.
Bislimi ka folur edhe për kundërshtimin që ka hasur një bashkëpunim i tillë te zyrtarët e lartë në LDK.
Sipas tij, individët me peshë e kanë kuptuar rëndësinë e një bashkëpunimi të tillë. “Tani që ka përfunduar me sukses procesi zgjedhor, besoj se rruga përpara do të jetë më e lehtë. Individët me peshë politike në LDK e kuptojnë rëndësinë e një bashkimi forcash për dy mandate”, është shprehur Bislimi.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)