Bashkëpunimi me LDK-në mund të përfshinte dy mandate qeverisëse
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Besnik Bislimi, ka bërë me dije se një koalicion parazgjedhor opozitar do të dërgonte një sinjal të fuqishëm te qytetarët për një erë të re të qeverisjes në Kosovë. Ai ka thënë se një bashkëpunim parazgjedhor LV-LDK do të ishte një shpresë për qytetarët e Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Bislimi ka treguar se një pajtim i tillë do të mund të përfshinte dy mandate qeverisëse. “Për të siguruar një fitore bindëse edhe para datës së mbajtjes së zgjedhjeve, një fitore që do të dërgonte një sinjal të fuqishëm te qytetarët për një erë të re të qeverisjes në Kosovë, një koalicion parazgjedhor opozitar do të ishte rruga e duhur. Një pajtim i tillë do të mund të përfshinte dy mandate qeverisëse, e pse jo do të mund të përfshinte edhe një marrëveshje për fitoren në të gjitha komunat e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme lokale”, ka thënë Bislimi.
Ai ka treguar se nëse hiqet dorë nga interesat e ngushta nuk është i pamundshëm një koalicion i tillë. “Nëse dy subjektet politike arrijnë t’i kalkulojnë përfitimet kombëtare dhe afatgjata nga një bashkim i tillë forcash, por edhe aspektet pozitive që do të rezultonin edhe për vetë subjektet politike, atëherë koalicioni është lehtësisht i arritshëm. Natyrisht se mund të ketë rezistencë të brendshme nga elementë që mbase kanë përfitime të drejtpërdrejta apo të tërthorta nga qeverisja e korruptuar, por shoh hapësirë për margjinalizim të tyre”, është shprehur ai.
Bislimi ka folur edhe për kundërshtimin që ka hasur një bashkëpunim i tillë te zyrtarët e lartë në LDK. Sipas tij, individët me peshë e kanë kuptuar rëndësinë e një bashkëpunimi të tillë. “Tani që ka përfunduar me sukses procesi zgjedhor, besoj se rruga përpara do të jetë më e lehtë. Individët me peshë politike në LDK e kuptojnë rëndësinë e një bashkimi forcash për dy mandate”, është shprehur Bislimi.
“Epoka e re”: Z. Bislimi, Kryesia e Kuvendit ka vendosur që më 22 gusht të mbahet seanca për shpërndarjen e Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje këtë datë e ka vlerësuar të largët. Pse
Bislimi: Para dorëheqjes së kryeministrit, përgjigjja standarde në kërkesat e opozitës për zgjedhje të parakohshme ka qenë se vendi është futur në procese shumë të rëndësishme ndërkombëtare, andaj shkuarja në zgjedhje do të krijonte një vakum të rrezikshëm, i cili do të shfrytëzohej nga presidenti për ta shtyrë aventurën e tij të rrezikshme për këmbim territoresh. Për më tepër, vonesat eventuale deri në zgjedhjen e qeverisë së re do të mund të krijonin telashe në përpilimin e buxhetit për vitin 2020, buxhet ky i cili do të duhej t’i reflektonte prioritetet e qeverisë së re dhe modelin e saj zhvillimor. Tani kemi një situatë të pakuptimtë ku, të paktën publikisht, të gjitha subjektet deklarohen se duan zgjedhje të parakohshme, e vetë kryetari i Kuvendit zvarritë panevojshëm shpërndarjen e Kuvendit. Kjo pastaj logjikisht edhe ngjallë dyshime për skenarë tipikë të PDK-së për t’i vënë në përdorim të gjitha makinacionet apo zbrazëtitë eventuale në Kushtetutë për ta deformuar vullnetin politik në interes të PDK-së. Kjo sidomos në rrethanat aq të pafavorshme për PDK-në që, siç duket, ka përshpejtuar procesin e demolimit të brendshëm politik.
“Epoka e re”: Sa është e gatshme për këto zgjedhje lëvizja dhe cilat janë pritjet e saj nga ky proces?
Bislimi: Jo vetëm Lëvizja, por besoj edhe qytetarët janë duke i parë zgjedhjet e parakohshme si mundësinë e vetme për parandalimin e kësaj qeverie kusarësh. Mendoj se burimi kryesor i gjithë këtyre zvarritjeve dhe tentativave për skenarë të papërgjegjshëm që do t’i parandalonin zgjedhjet, qëndron te përgatitja shumë e mirë e Lëvizjes dhe faktit që PAN-istët nuk po parashohin asnjë skenar të mundshëm që do ta linte Vetëvendosjen jashtë qeverisë së re, apo parandalonin PDK-në nga shkuarja në opozitë (e ndoshta edhe më keq se kjo!).
“Epoka e re”: Cili është disponimi në këtë subjekt politik, të shkohet vetëm në zgjedhje apo me ndonjë koalicion parazgjedhor?
Bislimi: Lëvizja Vetëvendosje ka përsëritur disa herë qëndrimin e vet. Për të siguruar një fitore bindëse edhe para datës së mbajtjes së zgjedhjeve, një fitore që do të dërgonte një sinjal të fuqishëm te qytetarët për një erë të re të qeverisjes në Kosovë, një koalicion parazgjedhor opozitar do të ishte rruga e duhur. Një pajtim i tillë do të mund t’i përfshinte dy mandate qeverisëse, pse jo do të mund të përfshinte edhe një marrëveshje për fitoren në të gjitha komunat e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme lokale. Por nuk e shohim aspak problematik as garimin individual, nisur nga fakti se Vetëvendosja edhe në zgjedhjet e kaluara ka vepruar njësoj dhe ka arritur të dalë fitimtare.
“Epoka e re”: Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti, vazhdimisht po bën thirrje për një koalicion parazgjedhor me LDK-në. Pse gjithë ky insistim dhe sa është i mundshëm një koalicion i tillë?
Bislimi: Ashtu si edhe u përmend në pyetjen paraprake, një koalicion i tillë do të siguronte një fitore të fuqishme që do t’i ngjallte shpresat te qytetarët, të cilët kjo qeveri dhe ato para saj i kanë lënë vetëm një perspektivë, atë të ikjes ilegale nga vendi. Nëse dy subjektet politike arrijnë t’i kalkulojnë përfitimet kombëtare dhe afatgjata nga një bashkim të tillë forcash, por edhe aspektet pozitive që do të rezultonin edhe për vetë subjektet politike, atëherë koalicioni është lehtësisht i arritshëm. Natyrisht se mund të ketë rezistencë të brendshme nga elementë që, mbase, kanë përfitime të drejtpërdrejta apo të tërthorta nga qeverisja e korruptuar, por shoh hapësirë për margjinalizim të tyre.
“Epoka e re”: Shumë zyrtarë të lartë të LDK-së kanë bërë me dije se, pavarësisht prej koalicioneve, kjo parti nuk e jep postin e kryeministrit. A është e gatshme LV-ja t’ia japë postin e kryeministrit LDK-së para zgjedhjeve?
Bislimi: LDK-ja deri më tani ka qenë në proces të brendshëm zgjedhor. Në të njëjtën kohë sondazhet e kanë radhitur si subjektin e parë në zgjedhje, edhe pse me një përparësi shumë të lehtë ndaj Vetëvendosjes. Tani që ka përfunduar me sukses procesi zgjedhor, besoj se rruga përpara do të jetë më e lehtë. Individët me peshë politike në LDK e kuptojnë rëndësinë e një bashkimi forcash për dy mandate, ashtu siç e kuptojnë që sondazhet jashtë fushate nuk përbëjnë ndonjë kriter relevant për ndarjen e roleve në marrëveshjet e ndërtimit të koalicionit. Plus që edhe sondazhet do ta ndryshojnë kahun përfundimisht që nga mesi i kësaj jave. Pozita e kryeministrit nuk është aspekt prestigji apo privilegji, por më tepër element i rëndësishëm në sinjalizimin e kahut që do të merr qeveria e re. Në një vend ku nepotizimi e korrupsioni janë avancuar në vlera dhe standard i politikbërjes dhe në pamundësues të çfarëdo iniciative inovative biznesore, është shumë me rëndësi që qeveria e re ta dërgojë prerazi dhe pa asnjë dyshim sinjalin e vendosjes së luftës ndaj krimit e korrupsionit si prioritet mbi prioritetet e angazhimit të saj.
Muhamet KOCI