Bashkëpunimi me Radojçiqin, Kadrijaj dhe Bislimi përplasën në komision
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës.
Në këtë raportim, Bislimi është pyetur në lidhje me rastin e sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, i cili kishte ndodhur më 24 shtator të vitit të kaluar.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ia ka pareshtur Bislimit një pyetje në lidhje me Milan Radojiçiqin, ish-nënkryetar i Listës Serbë, që tash kërkohet ndërkombëtarisht për sulmin në Banjskë.
“Për mua si deputete, zëvendëskryeministër është shumë shqetësuese se si kanë ikur ata. Si është krijuar korridori? Kush ka dhënë urdhër me u krijuar korridori dhe me u tërheq ata?”, ka qenë pyetja e deputetes Kadrijaj për Bislimin.
Bislimi i ka thënë Kadrijajt se si rezultat i koordinimit të tyre me Radojçiqin ai gjendet në Kopaonik në Serbi, e jo si në kohën kur lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj që e priste atë në zyre.
“Si rezultat i këtij koordinimi të shkëlqyer që ne kemi me Radojçiqin ai është në Kopaonik dhe i rrezikuar nga institucionet ndërkombëtare. Si rezultat i moskoordinimit edhe qasjes së pakoordinueshme që keni pasur ju ai ka qëndruar vazhdimisht në zyrën e kryeministrit Haradinaj”, ka thënë ai.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputetja Kadrijaj, e cila ka thënë se Radojçiqi ka qenë në zyrën e ish-kryeministrit Haradinaj në cilësinë e një subjekti politik.
“Radojçiqi kur ka qenë në zyre tek Ramushi ka qenë në cilësinë e një subjekti politik. Ju keni koordinuar me të në kohën kur ka qenë i kërkuar nga organet e drejtësisë dhe në kohën që ka qenë në listën e zezë të ShBA-së”, ka thënë ajo.
Në këtë debat është përfshirë edhe deputeti i LV-së, Agon Batusha. Ai ka thënë se në kohën sa Haradinaj ka qenë kryeministër, Radojçiqi është sjellë me armë në Gjakovë.