Bashkëpunimi në mes të qytetarëve dhe policisë mundëson siguri më të mirë në komunitet
Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria e Policimit në Bashkësi dhe Preventivë dhe Komiteti Lokal për Siguri Publike (KLSP) nga Komuna e Vushtrrisë, kanë mbajtur sot takimin e nëntëmbëdhjetë të Këshillit ekzekutiv të komiteteve lokale për siguri publike.
Me këtë rast është thënë se një bashkëpunim mes qytetarëve dhe institucioneve të sigurisë mundëson një siguri më të mirë në komunitet.
Ministrja në detyrë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Adrijana Hoxhiq, ka thënë se krijimi i komiteteve lokale për siguri publike është në të mirë të qytetarëve dhe institucioneve lokale.
Ndërsa shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, ka thënë se krijimi i komiteteve lokale për siguri publike ka mbledhur anëtarë të të gjitha komuniteteve për të diskutuar për problemet e përbashkëta.
“Kemi arritur shumë në lëvizjen e KLSP-ve këtu në Kosovë. 71 KLSP janë në Kosovë, 590 anëtarë të 66 komiteteve tashmë janë trajtuar dhe kjo e ka rritur kapacitetin e këtyre lidhur me sigurinë, rendin dhe ligjin. Në shumë raste krijimi i komiteteve lokale të sigurisë kanë mbledhur anëtarë të komuniteteve të ndryshme etnike për të folur dhe për të biseduar problemet e përbashkëta. Ky ndërtim i mirëbesimit nuk duhet të nënvlerësohet”, ka thënë Braathu.
Në anën tjetër, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Operativë në Policinë e Kosovës, Samedin Mehmeti, ka thënë se si polici objektiv kryesor e kanë parandalimin e krimit në bashkëpunim me qytetarët.
Më tutje, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se komunat në përgjithësi ballafaqohen më shumë sfida kur është në pyetje siguria publike në komunitet.