Bashkëpunimi për paqe, temë diskutimi mes Jasharit dhe komandantit të Forcave Amerikane për Evropë
Me ftesë të Sekretarit të Mbrojtjes së ShBA-ve, Lloyd Austin, komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, morri pjesë në takimin e radhës së Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, që u zhvillua sot në Bazën e Forcave Ajrore Amerikane në Ramstein të Republikës Federale të Gjermanisë.
Jashari, sipas një njoftimi të FSK-së, gjatë këtij forumi pati një takim me komandantin e Forcave Amerikane për Evropë, Christopher Cavoli.
“Të dy ritheksuan rëndësinë e bashkëpunimit bilateral dhe multilateral në shërbim të paqes dhe sigurisë euroatlantike”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Kosova vazhdon të mbështesë Ukrainën përmes trajnimit të forcave luftarake ukrainase, në fushën e deminimit si dhe ka dhuruar shumë herë pajisje, automjete dhe municion të kalibrave të mëdhenj.
Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës është formati i takimeve të ministrave dhe shefave të mbrojtjes të mbi 50 vendeve të botës, që përbëjnë koalicionin e madh të mbështetësve të Ukrainës, që prej fillimit të agresionit rus. Ky takim i radhës u drejtua nga Sekretari i Mbrojtjes së ShBA-ve, Lloyd Austin si dhe ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov.
Në këtë takim mori pjesë edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.