Bashkëpunimi ushtarak Kosovë-Maqedoni, i rëndësishëm për sigurinë rajonale
Me nderime të larta ushtarake, në Ministrinë e Mbrojtjes është pritur sot shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjenerallejtënant Vasko Gjurchinovski.
Ai është pritur nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama.
Ministri Mehaj e ka vlerësuar lartë rolin dhe kontributin e Forcave të Armatosura të Maqedonisë së Veriut në kuadër të KFOR-it dhe misionet tjera në kuadër të NATO-s.
Gjithashtu, ai ka vlerësuar bashkëpunimin e deritashëm ushtarak mes dy forcave, duke shtuar se bashkëpunimi do të thellohet edhe më tej në të ardhmen.
Pas takimit me ministrin Mehaj, gjenerallejtënant Gjurchinovski është pritur në zyrën e komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama.
“Gjatë këtyre takimeve u vlerësua lart bashkëpunimi ushtarak ndërmjet forcave të të dy vendeve duke diskutuar për konkretizimin e aktiviteteve të përbashkëta në kuadër të planit të bashkëpunimit bilateral. Me theks të veçantë u diskutua nevoja për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e arsimimit dhe stërvitjes të dy forcave”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Më pas, gjeneral Gjurchinovski dhe delegacioni i tij kanë vizituar kazermën e FSK-së në Pomozatin, respektivisht Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit në kërkim-shpëtim.
Kjo vizitë u realizua në kuadër të planit të bashkëpunimit ushtarak, bazuar në Memorandumin e Mirëkuptimit në mes ministrive të mbrojtjes së dy vendeve.