Bashkërendohet me britanikët procesi i emërimit të kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruari O’Conell, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media, me ç’rast kanë prezantuar format e bashkëpunimit, me theks të veçantë në bashkërendimin e procesit të emërimit të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Me këtë rast, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka thënë se sistemi prokurorial është duke punuar pa ndërprerë për forcimin e sundimit të ligjit, si një ndër vlerat më të rëndësishme për qytetarët e vendit.
“Ne jemi shumë të lumtur që kemi një partner si Mbretëria e Bashkuar, e cila përmes Ambasadës së saj në Kosovë ka krijuar mundësi për ne që të punojmë për arritjen e objektivave të rëndësishme strategjike”, ka thënë Kkyesuesi i KPK-së, Hyseni.
Nga ana tjetër, ambasadori britanik, O’Conell, ka thënë se është shumë e rëndësishme për qytetarët e Kosovës që të besojnë se prokurorët e tyre kanë detyra dhe përgjegjësi shumë të mëdha për të realizuar, andaj duhet të zgjidhen në bazë të meritës dhe të jenë njerëzit më të kualifikuar për pozitat më të ndjeshme, duke mos pasur ndikime politike dhe ndikime nga jashtë.
“Projekti britanik ka përkrahur edhe institucione të tjera në Kosovë për të siguruar procese dhe rekrutime të drejta, andaj më vjen shumë mirë që në këtë rast Këshilli Prokurorial ka gjetur mundësinë për të përkrahur bashkëpunimin për ofrimin e mbështetjes për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës. Shpresoj që ky projekt të jetë një fillim i mirë dhe i mbarë për ngritjen e besimit të qytetarëve ndaj sistemit prokurorial”, ka potencuar ambasadori Ruari O’Conell.
/Epoka e re/