Bashkëshorti i presidentes Osmani e heq statusin në ‘Facebook’, ku sulmon rëndë gazetarët
Bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu e ka fshirë statusin në llogarinë e vet në “Facebook” ku kishte sulmuar gazetarët pse ia publikuan shpenzimet për udhëtime të Osmanit në kohen sa ishte deputete.
Prindon Sadriu, i cili është i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup, ka fshirë statusin pas reagimeve të shumta nga përfaqësues të mediave dhe të shoqërisë civile.
Në statusin e tij, që u cilësua si skandaloz, ai mediat i ka quajtur “Ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
Postimi i plotë i tij më herët, që tashme e ka fshirë:
“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijera dollarë). Bileta avioni First Class e rrallë herë Business Class. Për Economy as që flitej. Ju nuk keni lënë gjë publike pa keqpërdorë”.
“Dhjetëra miliona euro keqpërdorime të qytetarëve përmes të cilave keni blerë televizione, portale e paguani ‘qepues’ për t’u munduar ta njollosni punën e ndershme të Presidentes. Për juve shteti është vetëm mjet për mbrojtjen e interesave biznesore e kriminale. Kaq!”, ka shkruar ai.