Bashkësia e Tarikateve të Kosovës del pro martesave të seksit të njëjtë
Pas një Kuvendi Zgjedhor të mbajtur të shtunën nga Bashkësia e Tarikateve të Kosovës (BTK), kjo bashkësi fetare doli me një deklaratë kundër homofobisë.
Në komunikatën për media theksohet se Bashkësia e Tarikateve e përkrah rrugën e demokracisë dhe ndërtimin e shtetit modern, si një realizim i vizionit Profetik për një shoqëri të diturisë, një shoqëri të solidaritetit, tolerancës dhe barazisë, shoqëri të sendërtimit të vlerave etke, ndërgjegjes dhe respektit gjithëpërfshirës, dhe si shoqëri e cila e kultivon të bukuren.
“Bashkësia e Tarikateve e përkrah shtetin e Kosovës në realizimin e sigurisë, mirëqenies dhe realizimin e një shoqërie të hapur për vlerat njerëzore. Bashkësia e Tarikateve do t’i mbështet institucionet e Kosovës në ndërtimin e shtetit juridik i cili i realizon vlerat e përmendura e kundër korrupsionit, neglizhencës, keq menaxhimit, jo barazisë, përjashtimit dhe jo transparencës në shoqëri”.
“Bashkësia e Tarikateve në veçanti dëshiron të punon s’bashku me institucionet e Kosovës në ndërtimin e një shoqërie pa paragjykime të cilat i njohim si racizmi, urrejtja etnik mee, homofobia, mizogonia, islamofobia, sufifobia dhe forma tjera përjashtuese që prishin mirëbesimin në shoqëri”, është theksuar në komunikatën për media.
Kuvendi i Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës poashtu i thërret institucionet e Kosovës që ta hapin derën për komunikim dhe dialog shoqëror i cili në fushën e bashkësive fetare mungon, sepse nuk ekziston demokracia me veshët e shurdhët dhe dyer të mbyllura.
“Me lutje për prosperitet shpirtërorë të shoqërisë Kosovare, për mirëqenie të gjithmbarshme dhe për liri autentike, ju dëshirojmë qeverisjen e suksesshme dhe shërbimin e ndërgjegjshëm ndaj popullit”, bëhet me dije në komunikatën për media.