BASHKËVENDËSVE TË EKZEKUTUAR

28 nëntor 2020 | 22:31

LULËZIM ETEMAJ

 

BASHKËVENDËSVE TË EKZEKUTUAR

 

Nuk i duhej askujt as gjyqi e as ndonjë vendim i posaçëm
Gjyq ishte bërë para 100 vjetësh
Poashtu edhe vendimi ishte shkruar
Përfundi i ka nënshkrimet që nga Garashanini, Çubrilloviqi e deri te ky bisha i fundit

Kot që kërkohen nëpër arkiva shteti a arka metalike bankash
Zbritni në Kosovë, në çdo cep do t’i gjeni

Shqiptar?
Shqiptar që veç Kosovës, thotë, nuk kam tjetër djep, shtëpi as kryeperëndi!
Edhe më keq!
Me dy vija të kuqe t’i nënvizohen emri dhe mbiemri
Dajak, plumb, therje e prerje e në flakë
(Gjë tjetër s’e bjen në vete!)

Furra e pjekjes nuk është zbulim yni

Fundja, pjekja në turrë drush apo në furra është kryeluksi!

Rrëke poshtë Kodrës, në fusha
ku me përtesë kishin zënë të ngrehin kryet lulet dhe bari i shkelur i stinës
Derdhet në Dri të Bardhë deri n’fyt vadë e gjakut

Dorë për dore, siç ishin rritur e burrëruar bashkë
Si të shkonin për ta hedhur farën e grurit nëpër ara
A të prashitnin në kopshte
Din Grabovci dhe Xhaferi e Miradija
djemtë e të njëjtës nënë Hasani, Nimani e Muharrem Elshani
Dhe sërish djem të një nëne tjetër
Shemsedini, Muhajdini e Nexhmedin Elshani
Shtatin dy metra, krah axha i tyre, Abdyli
Derdallajt, romë që s’e deshën jetën në këmbim të dy gisht fytyre, Keqa e Hasani
Ahmetajt nga Zabllaqi, Ismeti e Jetoni
Mustafë e Berat Dreshaj, Gani Isufi e Remzi Shala
dhe tjerë në lagjen Mavraj
Babë e bir, Seferi e Bekimi, edhe Ibishi në një sy gjumë
dhe të tjerë që erdhën për strehë aty

Nuk duhej vendim tjetër!
Në fakt kujt gjë s’i hynte në punë asnjë lloj aktgjykimi
Perdet që prej mbi 100 vjetësh po qëndronin të hapura në Beograd
Tragjedia akt pas akti po bënte rrugën e vet në Kosovë
Varre, bar, lule, grunaja e lisa të shkrumbuar sikur këta burra
Epilog tjetër nuk duhej të priste fundshekulli

SHENJAT

 

Asnjë luftë e vetme, hiç asnjë
Nuk mund të lihet para dere si çizmet e gomës të përlyera
Kur i zbathim e hymë brenda në shtëpi

Balta e tyre, të shkelurat e rënda
(Edhe mbi koka shqiptarësh, shënim i imi)
Mbeten shenja të pashlyeshme ndër njerëz, në shoqërinë e një vendi
Më pëshpërit kujdesshëm, me zë të ulët sot në mëngjesin e radhës këtë fundvit
Autorja austriake e “Kosovarische Korrekturen”
Ndërsa po flisnim për Kosovën dhe luftën

Si një zog i lirë në qiellin e pasfurtunës
Nga një varr tek tjetri
Në Reçak, Meje, Izbicë, Qyshk, Gjakovë, Pavlan, Abri…
E shkoj tërë ditë mendja ime
Në këtë ditë fundviti të 2019-s.

 

REÇAKU

 

Kah Reçaku
atë ditë rrugën e shmangu
edhe vetë Zoti

E nëse në Reçak të ka zbardhur drita
Tregoji botës
Sa i kushton shqiptarit liria

 

GJUMI NË KOSOVË

 

Për sa kohë ke fqinj dreqin
Kurrë mos ia fal të dy sytë gjumit
Nëse s’do që koka jote
të përfundojë si stoli në ndonjë vitrinë
të Kralevës apo të Beogradit!

(Këto poezi janë botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020. Në ditët në vijim, duke nisur nga 13 nëntori, në gazetën “Epoka e re”, në portalin online të saj dhe në formatin Pdf po të saj, për çdo ditë do të botohen poezitë e autorëve të botuara në këtë përmbledhje)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nga Prekazi ka uruar…