Bashkim Ramosaj nominohet për mandatin e tretë për kryetar të Deçanit
Këshilli i Përgjithshëm dhe Kryesia e AAK-së, dega në Deçan, sot në mënyrë unanime kanë marrë vendim për ta nominuar kandidat për kryetar komune, kryetarin aktual të komunës, njëherit kryetarin e degës së AAK-së Bashkim Ramosaj.
Sipas njoftimit të degës së AAK-së në Deçan, ky vendim vjen me vullnetin e plotë të të gjitha strukturave drejtuese të AAK-së në Deçan, “në respektim të vullnetit të mirë, dhe mbështetjes së jashtëzakonshme të të gjithë qytetarëve deçanas, atyre që jetojnë në Kosovë dhe në diasporë, për punën dhe angazhimin e madh të kryetarit aktual z. Bashkim Ramosaj!”.
Tutje në njoftimin për medie thuhet se “performanca e jashtëzakonshme e treguar gjatë këtyre viteve të qeverisjes së kryetarit Ramosaj, realizimi i shumë projekteve të mëdha e kapitale të Deçanit, përmirësimi i jetës së qytetarëve, realizimi i shumicës së premtimeve, dhe përkushtimi për realizimin e tërësishëm të kërkesave dhe nevojave të qytetarëve tanë, hapja e perspektives zhvillimore të komunës sonë, dhe angazhimi i tij i jashtëzakonshëm për ta bërë realitet Deçanin që e duan qytetarët e komunës sonë, ka bërë që kryetari Bashkim Ramosaj të jetë kandidati me i denjë dhe i pa konkurrencë për ta udhëhequr Deçanin edhe për një mandat”.
Dega e AAK-së në Deçan ka theksuar se i është mirënjohëse dhe falënderuese kryetarit Bashkim Ramosaj për qeverisjen e mirë, dhe e inkurajon atë që këtë dinamikë të punëve ta vazhdojë në vitet në vazhdim.
Gjithashtu dega e AAK-së në Deçan i falënderon përzemërsisht të gjithë qytetarët e komunës së Deçanit, brenda dhe jashtë vendit, për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kryetarit Ramosaj dhe gjitha strukturave drejtuese.