Bashkimi Evropian: Ende e pamundur që udhëtimet t’i kthehen normalitetit
Zëdhënësi kryesor, Eric Mamer, i cili foli gjatë konferencës ditore për shtyp të Komisionit të BE-së, shprehu mbështetje për nismat lidhur me reduktimin e kufizimeve të udhëtimeve ndërmjet shteteve anëtare të Unionit.
“BE-ja do të paraqesë një udhëzues për kthimin e udhëtimeve në rrjedhën e tyre normale. Megjithatë nuk jemi ende në atë pikë”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian.
Duke bërë me dije se BE-ja po punon mbi disa zgjidhje inteligjente për sezonin veror, Mamer theksoi se zgjidhja duhet të jetë e përshtatshme për të gjitha shtetet anëtare dhe të marrë parasysh situatën në terren.
Unioni vendosi më datë 17 mars një kufizim të përkohshëm 30-ditor në udhëtimet e panevojshme për në/nga vendet anëtare si masë kundër përhapjes së mëtejshme të koronavirusit. Kufizimi në fjalë është kërkuar të zgjatet deri më 15 maj.