Bashkimi Evropian pret zbatimin e marrëveshjes për rihapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë
Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, në një prononcim për “Telegrafin”, ka thënë se “sikurse të gjitha marrëveshjet e tjera të arritura në dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE), presim edhe kësaj radhe që marrëveshja për urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë të zbatohet plotësisht pa pasur shtyrje (apo vonesa) tjera”.
Kocijançiq deklaroi se rihapja e urës kryesore në Mitrovicë do të kontribuojë në lirinë e lëvizjes si dhe në pajtimin e njerëzve në të dy pjesët e qytetit.
“Sheshi ‘Mbreti Petar’ dhe rihapja e urës në Mitrovicë do të kontribuojë në lirinë e lëvizjes, takimit të njerëzve dhe përfundimisht pajtimin, ku do të përfitonin të gjithë qytetarët e pjesë jugore dhe veriore të Mitrovicës”, ka thënë Kocijançiq.
Ndryshe, projekti i financuar nga Bashkimi Evropian për revitalizimin e urës kryesore në Mitrovicë ka nisur në vitin 2016, me vlerë prej 1 milion e 45 mijë euro, në bazë të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes të arritur më 25 gusht 2015, në mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.