Bashkimi i forcave politike në dialogun me Serbinë, i domosdoshëm

03 korrik 2018 | 18:07

Shefi i delegacionit të Kosovës për dialog teknik, Avni Arifi, të hënën ka bërë me dije se janë në pritje të takimeve të reja në Bruksel, në të cilat do të diskutohet për implementimin e marrëveshjes për energjinë, marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve, marrëveshjes për njohjen e diplomave dhe marrëveshjes për hapjen e urës së Ibrit.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka bërë me dije se pala serbe nuk po shpreh gatishmëri për mbajtjen e këtyre takimeve.

Arifi ka thënë se kanë kërkuar nga BE-ja dhe vendet anëtare të saj që t’i bëhet presion Serbisë për implementimin e marrëveshjeve por, sipas tij, kërkesat kanë hasur në veshë të shurdhër.

Ai ka vlerësuar se një bashkim i forcave politike të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë është më së i domosdoshëm. Sipas Arifit, duhet të gjendet formula e duhur në mes të pozitës dhe opozitës që dialogu të përfundojë sa më shpejt dhe në mënyrë të suksesshme. Kurse sa i përket formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Arifi ka thënë se nuk ka vonesa në këtë drejtim, por se është një proces më i komplikuar.

“Nëse ekipi menaxherial ka draftuar një statut që është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës atëherë është çështje jave derisa të fillojë implementimi i tij. Nëse jo, atëherë do të kemi telashe sepse mund të përsëritet situata e vitit 2015, ku në 22 raste kishte shkelje kushtetuese dhe në raste të tilla gjithçka kthehet në pikën zero”, ka deklaruar Arifi, duke shtuar askush nuk ka të drejtë të dalë përtej Kushtetutës së Republikës së Kosovës si dhe askush nuk ka mandat të nënshkruajë diçka që është në kundërshtim me Kushtetutën.

 “Epoka e re”: Z. Arifi, kur pritet të zhvillohet takimi i radhës në nivel të dialogut teknik në mes të Kosovës dhe Serbisë? Cilat pritet të jenë temat e diskutimit?
Arifi: Takimi i fundit trelateral është mbajtur në fund të marsit dhe që nga atëherë, me gjithë insistimin tonë, nuk ka ndodhur një takim i ri për ta diskutuar implementimin e marrëveshjeve të mbetura. Jemi duke insistuar që të ketë takim sa më shpejt, si dhe po kërkojmë nga pala serbe implementimin e marrëveshjes për energjinë, marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve, marrëveshjes për njohjen e diplomave dhe marrëveshjes për hapjen e urës së Ibrit.

“Epoka e re”: Moscaktimi i një takimi të ri po ndodh për shkak të pushimeve apo për shkak të mosgatishmërisë së palës serbe për të dialoguar?
Arifi: Nëse nuk do të ketë takim nuk besoj se do të jetë për shkak të pushimeve, por për shkak se pala serbe nuk po tregon gatishmëri për mbajtjen e takimeve. Megjithatë, takimet duhet të vazhdojnë në mënyrë që sa më shpejtë të gjitha marrëveshjet të implementohen.

 “Epoka e re”: Meqë Serbia nuk po zbaton marrëveshjen e energjisë, atë menaxhimit të integruar të kufijve, po bën pengesa për hapjen e urës, nuk po i njeh diplomat si dhe po pengon lirinë e lëvizjes, keni kërkuar nga BE-ja si palë ndërmjetësuese të bëjë më shumë presion mbi palën serbe për t’i zbatuar këto marrëveshje?
Arifi: Kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë nga BE-ja që të caktohet një takim i ri. Në mënyrë permanente jemi duke kërkuar nga BE-ja dhe nga vendet anëtare siç është Gjermania, që ta ndihmojë procesin e implementimit të marrëveshjeve por, fatkeqësisht, të gjitha kërkesat kanë hasur në veshë të shurdhër dhe deri më tani nuk është bërë asnjë hap në këtë drejtim. Ne insistojmë dhe po i shfrytëzojmë të gjitha kanalet e mundshme diplomatike për të arritur deri tek implementimi i marrëveshjeve.

 “Epoka e re”: Duke pasur parasysh sjelljet destruktive të Serbisë, ka rrezik që dialogu të kthehet në pikën zero?
Arifi: Një dialog i cili nuk prodhon rezultate veçse është në pikën zero. Në dialog duhet të punohet vazhdimisht dhe duhet të ekzistojë gatishmëria që të implementohen marrëveshjet, posaçërisht implementimi i të cilave varet nga akti jo nga procesi. Për shembull, veprimi për implementimin e marrëveshjes për energjinë nuk është proces, por është akt. Mjafton një takim tri orë dhe ajo implementohet. Ka shumë veprime të cilat kanë mbetur peng i vullnetit politik të palës serbe. Mosimplementimi i marrëveshjeve nga pala serbe po ndikon që procesi i dialogut ta humbë kredibilitetin.

“Epoka e re”: Ia vlen të insistohet në vazhdimin e këtij dialogu që nuk po jep rezultate?
Arifi: Dialogu nuk ka alternativë. Më mirë është të diskutohet me vite sesa të mos diskutohet fare. Jemi qeveri relativisht e re në pushtet dhe si subjekte politike nuk kemi besuar shumë në këtë proces, madje patëm insistuar që ky proces të përfundojë sa më shpejt meqë efektet kanë qenë të vogla. Patëm kërkuar që procesi të ndërpritet dhe të fillojë një proces tjetër, megjithatë në momentumin në të cilin gjendemi insistojmë të implementohen marrëveshjet ekzistuese dhe tek pastaj mund të flitet për tema të reja. Në formën siç ka filluar procesi është me rëndësi të përfundojnë marrëveshjet ekzistuese, pastaj të bisedojmë për tema të tjera.

 “Epoka e re”: Do të ketë efekt pozitiv në nivelin teknik nisja e fazës finale të dialogut në mes të presidentëve Thaçi – Vuçiq?
Arifi: Natyrisht dhe kjo është shumë e rëndësishme. Nëse bisedimet në nivel të dy presidentëve shkojnë në drejtim të duhur atëherë do të ketë reflektim edhe në implementimin e marrëveshjeve. Është me rëndësi që dialogu politik ta marrë drejtimin e duhur sepse atëherë është më lehtë që bisedimet teknike të kenë sukses.

 “Epoka e re”: Z. Arifi, për fazën finale të dialogut po kërkohet arritja e konsensusit në mes të spektrit politik. Sa ka gjasa që të arrihet ky konsensus, dhe si do ta bindni opozitën që të bëhet pjesë e këtij procesi?
Arifi: Një bashkim i forcave politike të Kosovës është më se i domosdoshëm në procesin e dialogut me Serbinë. Duhet të gjendet një formulë e duhur në mes të pozitës dhe opozitës, sepse ka rëndësi të jashtëzakonshme që në këtë proces të jemi të gjithë së bashku dhe dialogu të përfundojë sa më shpejt dhe suksesshëm. Tani është në dorën e institucioneve dhe partive politike ta gjejnë formën më të mirë të organizimit. Edhe në të kaluarën kemi pasur momente më të vështira ku ndasitë në mes të subjekteve politike kanë qenë edhe më të theksuara, megjithatë është arritur të gjendet një rrugë për t’i evituar ndasitë dhe për të dalë të bashkuar si palë negociuese.

 “Epoka e re”: Pavarësisht prej mospërfshirjes së opozitës, procesi i dialogut do të vazhdojë?
Arifi: Dialogu nuk ka alternativë pavarësisht se si organizohet. Në mes të dy vendeve, kur nuk ka dialog, ka telashe dhe ne nuk jemi të interesuar për telashe, por për një dialog në të cilin ka shumë tema për të diskutuar dhe shumë probleme për t’u zgjidhur. Është interes i Kosovës dhe qytetarëve të saj që ky dialog të rivendoset dhe duhet të punojmë për arritjen e një konsensusi të brendshëm dhe formës së operimit brendapërbrenda këtij konsensusi për të negociuar me palën serbe.

“Epoka e re”: Opozita nuk dëshiron që presidenti Thaçi t’i prijë këtij procesi. Ka hapësirë për arritjen e një konsensusi për gjetjen e një emri tjetër për t’i udhëhequr bisedimet, apo do të jetë i pamundur zëvendësimi i Thaçit?
Arifi: Nuk besoj se jam personi adekuat për t’u përgjigjur në këtë pyetje. Legjitimiteti i presidentit buron nga Kushtetua, megjithatë është shumë me rëndësi që ky proces të përkrahet nga Kuvendi dhe Kuvendi të jetë pjesë e tij. U takon deputetëve dhe institucioneve të dalin me një zgjidhje e cila është e pranueshme për të gjitha palët.

 “Epoka e re”: Çfarë është duke ndodhur me procesin e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe?
Arifi: Grupi menaxherial ka filluar draftimin e statutit dhe ne ende nuk kemi marrë asnjë draft të këtij statuti, por kemi marrë transkriptimet apo procesverbalet e takimeve që ky grup menaxherial i ka pasur me disa grupe të interesit, mirëpo statut apo draft-statut të Asociacionit nuk kemi marrë.

“Epoka e re”: Pse po ka vonesa në këtë drejtim?
Arifi: Është një proces më i komplikuar. Më 8 prill është riaktivizuar grupi menaxherial dhe është çështje kohësh kur ata do të prezantojnë draftin e parë. Nuk ka asnjë ngecje. Arsyeja se a do të ketë ngecje apo jo varet nga ajo se çfarë ka draftuar grupi menaxherial. Nëse ekipi menaxherial ka draftuar një statut që është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës atëherë është çështje jave derisa të fillojë implementimi i tij. Nëse jo, atëherë do të kemi telashe, sepse mund të përsëritet situata e vitit 2015, ku në 22 raste kishte shkelje kushtetuese dhe në raste të tilla gjithçka kthehet në pikën zero.

 “Epoka e re”: Në asnjë rrethanë nuk do të lejohet që statuti i Asociacionit të jetë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës?
Arifi: Askush nuk ka të drejtë të dalë përtej Kushtetutës së Republikës së Kosovës në këtë proces, si dhe askush nuk ka mandat të nënshkruajë diçka që është në kundërshtim me Kushtetutën.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen…