Bashkimi nuk ndalet, synon suksese edhe në edicionin e ri
Një nga klubet më të organizuara në konkurrencën e femrave është Bashkimi. Skuadra prizrenase edicionin e kaluar fitoi Kupën dhe Superkupën. Ishte lidere me 14 fitore dhe vetëm një humbje, kur përfundoi stinori i kaluar që, për shkak të pandemisë, u ndërpre.
Kryetari i këtij klubi, Rrahman Përteshi, në një intervistë për faqen zyrtare të FBK-së ka folur për gjendjen me pandeminë, përforcimet dhe synimet në stinorin e ri. “Përhapja e pandemisë ka ndikuar shumë në buxhetin e klubit, por ne kemi punuar vazhdimisht për t’u organizuar sa më mirë për sezonin e ri. Pra, përkundër izolimit, jemi munduar të punojmë në aspekte të tjera. Gjithashtu, jemi shumë afër bashkëpunimit me disa sponsorë dhe këtë herë presim përkrahje më të madhe nga Komuna e Prizrenit”, ka thënë Përteshi.
Klubi prizrenas ka vazhduar me lojtaret kryesore të edicionit të kaluar, kurse është përforcuar edhe me dy amerikane. “Sa iu përket përforcimeve, mund të them se jemi 90 % në përfundim të kompletimit të ekipit në çdo aspekt. Me përgatitje, lojtaret kanë filluar në mënyrë individuale për shkak se ende nuk kemi leje nga institucionet përkatesë për t’i filluar stërvitje kolektive. Shpresoj që sa më shpejt të na lejohen stërvitjet për shkak se mendoj që jemi të vetmit që ende nuk po stërvitemi dhe jemi të kufizuar në çdo aspekt”, ka shtuar ai.
Në fund ka folur edhe për synimet për edicionin e ri. “Në lidhje me ekipin mund të them se kemi lojtaret më të mira vendore në tregun e Kosovës dhe trajnerin (Fabian Gjuka) më të suksesshëm në basketbollin e femrave. Po ashtu, ekipit i kemi shtuar edhe dy amerikane që besoj se do të jenë ndihmë e madhe për t’i arritur synimet. Bashkimi synon që të ketë suksese në sezonin e ri si dhe ta sigurojë pjesëmarrjen në garat e FIBA-s. Natyrisht, nuk duhet harruar edhe lojtaret e reja pasi kemi vazhduar më të talentuarat që i kemi pasur më herët dhe së fundi i kemi shtuar edhe dy tjera të reja. Krahas sukseseve, klubi ka politikë edhe zhvillimin e lojtareve të reja për të kontribuar në përgjithësi në ngritjen e nivelit të cilësisë në basketbollin e femrave”, ka përfunduar Përteshi.