Bashkimi triumfon ndaj Pejës
Bashkimi ka shënuar fitore ndaj Pejës me rezultat 85:83 (19:28, 28:19, 15:20, 23:16), në takimin e xhiros së tetë të Art Motion Superligës, që u vendos në sekondat e fundit.
Ndeshjen më mirë e nisën pejanët, që ishin në epërsi në çerekun e parë, ku u shkëputën në fund të saj, për të fituar këtë pjesë 19:28. Prizrenasit ju përgjigjën me monedhën e njëjtë në periudhën e dytë, duke barazuar shifrat në 34:34 dhe më pas zhvillohet lojë e barabartë, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me shifrat 47:47.
Perioda e tretë ishte e barabartë, ku herë njëra skuadër kalonte në epërsi e herë tjerë, pa arritur shkëputjen e lartë, megjithëse verdhezinjtë në fund ishin më të mirë, ku rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 62:67. Përballja ishte mjaft dramatike në fund, ku hero i Bashkimit ishte King me dy pikë të shënuar 1:31 minuta pa përfunduar ndeshja, duke vulosur fitoren e prizrenasve përballë pejanëve me rezultat 85:83.
Te Bashkimi u dalluan Anton Kazarnovski me 25 pikë dhe Avi Tooner me 16 pikë e shtatë asistime, ndërsa te Peja u dalluan Ilder Erdem me 14 pikë e 11 asistime dhe Arian Çallaku me 21 pikë e pesë kërcime.
Bashkimi ka pesë fitore dhe tri humbje, ndërsa Peja gjashtë fitore dhe dy humbje.