Bashota: Nuk e di nëse Kadri Veseli ka pasur ndonjë zëvendës në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së
Sokol Bashota është rikthyer serish në sallën e gjyqit në Hagë për të dëshmuar në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Matt Halling, dëshmitari ka thënë se nuk e din nëse Kadri Veseli ka pasur ndonjë zëvendës në pozitën e tij në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Nuk e di nëse ka pas ndonjë zëvendës Kadri Veseli. Ose ka qenë dikush që ka mundur me e caktuar, nuk e di. Saktë nuk e di dhe nuk mu kujtohet. Përderisa nuk ka një emër nuk po mundem me than kurrgjë”, ka thënë Bashota.
Ai këtë deklaratë e ka dhënë pasi është prezantuar një dokument që pretendohet se është shkruar nga vetë ai dhe ishte nga një mbledhje e dhjetorit të 1998-s me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.
Në të njëjtin dokument, prokurori ka thënë se thuhet në një vend “Luli” dhe mbi këtë emër ishte një numër telefoni.
“Ky nuk është dokument për mua. As në dukje nuk është dokument. Në një dokument nuk lejohen të bëhen kësi shkrime, numri telefoni, vite pas nënshkrimi. Nuk mendoj që ky është dokument zyrtar i UÇK-së dhe përndryshe do të ishte gabim. Nuk e di arsyen se pse e kam bërë por me siguri e kam bërë me e pasqyruar diku në ndonjë libër apo diku. Kjo më shumë me ngjason që është bërë pas luftës së gjatë luftës. Nuk po mund ta di”, ka thënë dëshmitari.
Nënshkrimi i tij në atë dokument sipas dëshmitarit është në gjashtë vende.
Dëshmitari gjithashtu është pyetur se a kishte marrë pjesë në ndonjë mbledhje të Shtabit të Përgjithshëm kur është folur për dezertimin e Blerim Kuqit.
“Është përfol që ai është largu nga Kosova pa i raportuar askujt, pa i dhënë një raport dikujt që po ik nga Kosova. Po, që ky dokument është shkruar në atë kohë, prapë nuk po mundem me e konstatuar. Ose është marrë nga ndonjë dokument tjetër dhe është bërë më vonë, por thjeshtë nuk po mundem me e mbajt mend”, ka thënë Bashota.
Ndërsa për Sylejman Selimin, Bashota ka thënë se e kishte takuar gjatë luftës, por që nuk kishin diskutuar ndonjë çështje të rëndësisë se veçantë.
Vlen të theksohet se Sokol Bashota përfaqësohet nga avokati Artan Qerkini dhe dokumentet që i janë prezantuar dëshmitarit deri më tani janë pranuar si prova materiale.