Bashota: S’besoj se të akuzuarit kanë shkruar komunikata të UÇK-së në vitin 1997
Dëshmitari Sokol Bashota është pyetur nga trupi gjykues të mërkurën në Hagë se a ka qenë ndonjëri prej të akuzuarve i përfshirë në shkrimin apo publikimin e komunikatave të UÇK-së në vitin 1997.
“Jo se besoj. S’ka pas përgjegjësi asnjëri prej tyre në atë kohë për me ba një gjë të tillë”, ka thënë Bashota, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, dëshmitari është përballur me deklaratat e Rexhep Selimit, i cili kishte thënë se gjatë 1997-ës kryesisht me komunikatat ishte merr Sokol Bashota.
“Ai ka mujt me supozu por unë nuk e kam shkru asnjë komunikatë”, ka thënë dëshmitari.
Gjyqtari i ka thënë Bashotës së sipas deklaratës së tij, në atë kohë Thaçin dhe Veselin nuk kanë qenë në Kosovë dhe si mund të jetë i sigurt që komunikatat nuk janë shkruar nga ata.
“Duke iu referuar pozicionit të tyre që e kanë pas në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për atë kohë. Unë nuk muj me e paragjyku asnjërin se a ka mujt apo s’ka mujt me e shkru ndonjë komunikatë, por që pozicion për me fol apo me shkru diçka për UÇK-në nuk kanë pas dhe nuk e di nëse kanë muj me shkru apo jo”, ka thënë Bashota.