
Bashota: S’jam në Kosovë, as s’jam takuar me presidentin
Ish-kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, ka demantuar lajmin e sotëm të publikuar në disa media, në të cilin thuhej se ai sot gjatë ditës është takuar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, me të cilin, kinse, ka folur për emërimin e tij shef i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
I pyetur për këtë lajm, Bashota ka thënë: “Ajo media që ka publikuar një lajm të tillë është media kazan.
Me fotografi të mbledhura nga profilet personale e të shkrepura para gjashtë muajve nuk bëhet lajm, o kazana!
Unë nuk jam në Kosovë që disa ditë, as s’jam takuar me presidentin që disa ditë, as nuk kemi biseduar asnjëherë për këtë temë”, ka thënë Bashota për “Epokën e re”, duke shtuar se “shpifën ata që thanë se sot më panë me presidentin dhe shpifën se une i kam kërkuar emërimin shef i AKI-së”.