Bashota: Thaçi s’ka mundur të lëshojë urdhra për veprimet ushtarake
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon dëshminë Sokol Bashota si dëshmitar i 109-të në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Dëshmitari Bashota në seancën e sotme deklaroi se Thaçi nuk ishte në gjendje të lëshojë urdhra për zonat. Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Christoph Barthe, ai tha se drejtori i Drejtorisë Politike s’e ka pasur këtë mundësi.
“Drejtori i Drejtorisë Politike nuk ka mujt me lëshu urdhra për veprime ushtarake apo për zonat. Ky ka qenë drejtor i Drejtorisë Politike. Mbi bazën e kësaj”, tha Bashota.
Sipas tij, kjo kompetencë e urdhrave ushtarake për ushtarët nëpër zona ka qenë ekskluzivisht e Bislim Zyrapit.
“Ajo ka qenë kompetencë ekskluzive e Bislim Zyrapit, komunikimi me komandantët e zonave. Ka qenë shef i Shtabit prandaj”, tha Bashota.
Ai tha se e ka fjalën për urdhrat që kanë të bëjnë me zonat për shkak se për ato, sipas tij, nuk ka pasur mundësi të ekzistojnë urdhra politik.
Bashota kishte thënë se Thaçi nuk ishte në gjendje të lëshonte urdhra as lidhur me persona të ndaluar.
Gjithashtu, ai tha se edhe si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme, nuk e di nëse Thaçi e ka pasur mundësinë të japë urdhra për ushtarët.
Në fillim të seancës, pyetjet shtesë i bëri mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq.
Dëshmitari tha se nuk e di si është marrë vendimi që Adem Demaçi të bëhet përfaqësues politik. Gjithashtu, tha se të gjithë qytetarët e Kosovës kanë pasur dëshirë që ta shohin Kosovën të strukturuar.
Vlen të theksohet se dëshmitari Sokol Bashota është i pranishëm me avokatin Artan Qerkini nga i cili edhe përfaqësohet. /BetimipërDrejtësi