Basketbolli fillon me ndeshjet e Superkupës
Edicioni i ri në basketbollin e Kosovës pritet të fillojë me spektakël, pasi më 24 shtator palestra “Mizahir Isma” do të jetë arena e ndeshjeve të Superkupës.
Në konkurrencën e femrave nga ora 17:30 do të ballafaqohen Prishtina – Bashkimi, kurse nga ora 20:30 do të përballen Rahoveci – Sigal Prishtina te meshkujt. Të dy këto ndeshje do të transmetohen në “Art Motion”. Organizatorë të Superkupës janë Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) në bashkëpunim me Klubin e Rahovecit. Përgatitjet deri më tani për këto dy ndeshje po shkojnë sipas planit dhe pritet që të jetë një spektakël i rrallë i basketbollit në prag të fillimit të edicionit të ri, që pritet të jetë shumë interesant, sidomos me rikthimin e Pejës në garat e elitës.
Tifozët në Rahovec gjithmonë kanë krijuar atmosferë të jashtëzakonshme dhe kështu pritet edhe më 24 shtator. Një ngjarje që pritet të jetë madhështore sa i përket organizimit, por edhe tifozëve në tribuna dhe lojtarëve/eve në parket, pasi priten ndeshje mjaft interesante.